Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot përmes një shkrese zyrtare se e ka informuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, lidhur me një marrëveshje sekrete në mes të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në letrën zyrtare që Kryeministri Albin Kurti i ka dërguar Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit që mban datën 25 shkurt 2020, Kryeministri Kurti ka thënë se marrëveshjen të cilën Hashim Thaçi e kishte bërë në prill 2013 me sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen e kishte siguruar nga një zyrtar i NATO-s në nëntor 2019, raporton Gazeta Express.
“Në nëntor të vitit të kaluar, një zyrtar i NATO-së, më dorëzoi mua në cilësinë time si kryeministër në ardhje i Republikës së Kosovës, një kopje të një marrëveshje ndërkombëtare të arritur në vitin 2013. Marrëveshja ka formën e një shkëmbimi të letrave ndërmjet kryeministrit të atëhershëm z.Hashim Thaçi dhe sekretarit të përgjithshëm të atëhershëm të NATO-së, z.Anders Fogh Rasmussen. Përmes kësaj marrëveshjeje, kryeministri Thaçi, në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së, në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar. Ajo që menjëherë bie në sy, është se marrëveshja e mban datën 19 prill 2013, të njëjtën ditë kur u arrit e ashtuquajtura “Marrëveshja e Brukselit” (marrëveshja Kosovë-BE/BE-Serbi) e cila u publikua menjëherë brenda ditës dhe u ratifikua dy muaj më vonë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ajo që dëshmon letërshkëmbimi Thaçi-Rasmussen, pra, është fakti se ka jo vetëm një, por dy marrëveshje të Brukselit. Krahas marrëveshjes së publikuar dhe ratifikuar, ka pasur një tjetër marrëveshje, një marrëveshje sekrete dhe të paratifikuar, për të cilën z. Thaçi për arsye ende të panjohura nuk i ka informuar as deputetët e Kuvendit, as publikun e gjerë”, thuhet në shkresën zyrtare të Kryeministrit Kurti dërguar Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani.