Si Metaverse do ta revolucionarizojë arsimin në botë

Nga Louis Rosenberg*

Ka shumë gjëra që mund t’i mësojmë përmes librave dhe leksioneve, por mundësia për t’u dhënë  studentëve një përvojë “praktike” shumë realiste përmes një bote virtuale nuk është një prej tyre. Por kjo e ardhme do të vijë shumë shpejt dhe do të revolucionarizojë sistemin arsimor.

Edukimi në metaverse

Për të dhënë vetëm një shembull konkret, ne mund t’i mësojmë fëmijët të shumëzojnë numrat dhe të gjenerojnë një rezultat në miliarda, por është shumë e vështirë – në mos e pamundur – t’u mësojmë pafundësinë e një miliard yjeve, vogëlsinë e thellë të një miliard atomeve, apo rëndësinë e pompimit të 37 miliardë tonë metrikë dioksid karboni në atmosferë. Por teknologjia përfshirëse (immersive) do të na lejojë të ushqejmë një ndjenjë intuite te studentët dhe në këtë mënyrë të krijojmë një kuptim shumë më të thellë mbi botën.

Në Metaverse, ne mund t’u japim studentëve përvoja në vetën e parë sikur të ishin zvogëluar në madhësinë e një virusi, ose sikur të ishin zmadhuar në madhësinë e një galaktike. Ne mund t’i bëjmë studentët të notojnë nëpër sistemin e qarkullimit të gjakut, në mënyrë që ata të mund të vlerësojnë madhësinë dhe shkallën e mureve arteriale teksa pllakat krijohen për shkak të sëmundjeve të zemrës. Ne mund t’i transportojmë studentët nëpër kohë dhe hapësirë, në mënyrë që ata të mund të shëtisin rrugët plot gjallëri të Romës së lashtë, apo të ndihmojnë në ndërtimin e Murit të Madh të Kinës. Shembujt janë të pafund.

Si një përson që ka qenë i përfshirë në realitetin virtual dhe të shtuar për më shumë se 30 vjet, gjithmonë kam besuar se edukimi immersiv është një nga përdorimet më të rëndësishme. Por deri në vizitën time të fundit në Dreamscape Learn në Culver City, Kaliforni, nuk e kisha përjetuar përmbajtjen gjithëpërfshirëse që është gati të revolucionarizojë mësimin e zakonshëm nga shkolla nëntë-vjeçare dhe e mesme, deri në kolegj. I formuar si një partneritet midis kompanisë së argëtimit VR Dreamscape Immersive dhe Universitetit Shtetëror të Arizonës, Dreamscape Learn ka kombinuar fuqinë e tregimit me cilësi të filmit dhe pamjeve kinematografike me parime arsimore thellësisht të menduara dhe qëllime të përcaktuara qartë të të mësuarit.

Të mësuarit “praktik” në një botë virtuale

Objektivi i tyre nuk është të zëvendësojnë arsimin tradicional në klasë, por ta plotësojnë atë me laboratorë “praktikë” të kryer në VR. Në fakt, laboratorët e tyre janë të strukturuar për të ofruar 15 minuta përvoja përfshirëse për çdo tre orë mësimi tradicional. Siç ma përshkroi CEO i Dreamscape Learn, Josh Reibel, ata po nxisin për një “transformim rrënjësor të asaj se çfarë do të thotë të mësuarit praktik”.

Po si duket ky transformim radikal? Për ta zbuluar, vizitova selinë e Dreamscape, vendosa një pajisje VR dhe u hodha në botën e tyre arsimore. Moduli i tyre i parë mësimor është një grup prej gjashtë laboratorësh të krijuar për të mbështetur biologjinë e nivelit të kolegjit dhe nuk ka asnjë student që të kalojë një orë të plotë vetëm për të parë një amebë nën një mikroskop. Në vend të kësaj, është një përvojë në VR e quajtur “Biologjia në kopshtin zoologjik alien” që i transporton studentët në një habitat kafshësh të egra ndërgalaktike ku duhet të zgjidhin një mister se pse krijesat aliene po vdesin. Pasi e kam provuar vetë këtë, mund të them se ju tërheq jo si vëzhgues, por si pjesëmarrës që me të vërtetë dëshiron të eksplorojë botën dhe të zgjidhë problemin.

Më me ndikim për mua është mënyra se si teknologjia mund t’ju transportojë jo vetëm në kohë dhe vende të ndryshme, por në shkallë të ndryshme, duke ju lejuar të fitoni intuitë për gjëra shumë të mëdha dhe shumë të vogla. Gjatë vizitës sime në Dreamscape Immersive, themeluesi i tyre dhe ish-kreu i DreamWorks Motion Pictures, Walter Parkes, më çoi në një udhëtim duke përdorur një mjet që ata e quajnë Klasa Immersive. Pothuajse si një udhëtim magjik me tapet, ai i lejon një instruktori të çojë një klasë të tërë në vende të ndryshme.

Së pari, ne vizituam një peizazh me krijesa në madhësinë e një brontosaurusi. Për herë të parë në jetën time, e kuptova vërtet se sa të vegjël jemi në fakt në krahasim me dinosaurët. Më pas ai na zvogëloi dhe na çoi në një udhëtim përmes qarkullimit të gjakut, duke parë qelizat e kuqe dhe të bardha të gjakut në përmasat e tyre të përsosura. Më pas pamë sesi makrofagët sulmonin një qelizë kanceroze, duke fituar intuitë për madhësitë e tyre relative dhe mënyrën se si ato sillen. Walter dhe unë ishim në gjendje të diskutonim atë që po shikonim në kohë reale, secili prej nesh i përfaqësuar si avatarë në VR. Në fund, ai më çoi të vizitoja disa vende të trashëgimisë botërore, ku mund të kuptoja madhështinë e vërtetë të strukturave antike pa pasur nevojë të merrja një avion. Për mua, kjo lloj aftësie për të arritur perspektivën në vetën e parë është revolucionare në arsim. Thjesht nuk mund të bëhet me media të sheshta.

Një tjetër përvojë edukative në VR që pata kohët e fundit ishte në Universitetin Stanford në Laboratorin Virtual të Ndërveprimit Njerëzor të drejtuar nga Jeremy Bailenson. Ai demonstroi një shumëllojshmëri përvojash mësimore duke filluar nga një imitues tërmetesh që fjalë për fjalë tundi dyshemenë poshtë këmbëve të mia deri te një përdorim i mahnitshëm i videos 3D që lejon qendërmbrojtësit e nivelit të kolegjit të praktikojnë “leximin e mbrojtjes” kur rreshtohen për një lojë. Por më me ndikim ishte një modul i quajtur “1000 Prerje” që i lejon studentët të ndjejnë se si është të jesh një person me ngjyrë në një seri përvojash diskriminuese. Zhvilluar nga Courtney Cogburn e Universitetit të Kolumbias në bashkëpunim me Dr. Bailenson, kjo fjalë për fjalë ju lejon të përjetoni botën në këpucët e dikujt tjetër. Ashtu si transportimi në kohë, vende ose shkallë të ndryshme, kjo u lejon studentëve të shohin botën me sy të ndryshëm, gjë që mund të jetë thellësisht e vlefshme për të mësuar gjithçka, nga historia deri te ngjarjet aktuale.

“Efekti i intuitës”

Në një nivel të lartë, metaversi do ta transformojë arsimin nga një grup mësimesh që studentët shikojnë, në një grup përvojash që studentët jetojnë. Kjo do të prodhojë mësim më të thellë, duke rrënjosur jo vetëm njohuri, por edhe intuitë.

Për herë të parë e përjetova “efektin e intuitës” 25 vjet më parë kur drejtoja kompaninë VR Immersion Corporation. Si CEO, më duhej të jepja demonstrime të panumërta të produkteve tona për trajnimin kirurgjik. Pasi i tregoj një grupi mjekësh se si të bënin një bronkoskopi në VR, njëri prej tyre më pyeti se në cilën shkollë kisha studjuar mjekësi. Isha i hutuar, por më pasi ai më shpjegoi se isha mjaft i zoti në këtë procedurë. Kjo më tronditi, pasi nuk kisha trajnim mjekësor. Por kjo është gjëja e mahnitshme: duke pasur përvoja në vetën e parë në VR, unë kisha mësuar anatominë e mushkërive dhe kisha zhvilluar aftësitë komplekse të nevojshme për të gjetur një tumor dhe për të kryer një biopsi. Mësimi nuk ishte faktik, ishte intuitiv, gjë që ishte shumë më ndikuese.

Studiuesit në ASU së fundmi përfunduan një grup të parë studimesh për të krahasuar përvojën e Kopshtit Zoologjik Alien me laboratorët tradicionalë. Ata zbuluan se studentët që përdorën VR arritën 9% më shumë pikë kur u vlerësuan në qëllimet e të mësuarit dhe raportuan kënaqësi dhe angazhim më të lartë. Dhe ata sapo kanë filluar. Në semestrin e pranverës të vitit 2023, ASU pret të ketë mbi 5,000 studentë që përdorin modulet VR. Vitin e ardhshëm, pritet që edhe shumë universitete të tjera t’i përdorin ato.

Mësimi virtual

Përvojat immersive në arsim mund të jenë aq realiste dhe ndërvepruese saqë studentët do të zhvillojnë njohuri, aftësi dhe intuitë që bëhen natyrë e dytë. Është më shumë si të kesh një praktikë virtuale sesa të ndjekësh një kurs. E ardhmja e arsimit është këtu. /tesheshi.com/

*Dr. Louis B. Rosenberg është shkencëtar kompiuterik dhe CEO aktual i Unanimous AI, një kompani nga Kalifornia e fokusuar në amplifikimin e inteligjencës njerëzore duke përdorur algoritme të Inteligjencës Artificiale (AI) të modeluara në tufat biologjike.