Si Zuckerberg humbi 29 miliardë dollarë brenda natës

Shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, pa se si brenda një nate vlera neto e kompanisë së tij ra me 29 miliardë dollarë në momentin kur çmimi i aksioneve të kompanisë së tij pësoi rënie pas raportit të tremujorit të fundit.

Aksionet e Meta-s ranë gati 25 për qind në treg pas orarit të punës, pasi kompania njoftoi shifra të ardhurash më të ulëta se sa pritej, si dhe një rënie të përdoruesve të Facebook për herë të parë në historinë e saj 18-vjeçare.

Numri i përdoruesve aktivë ditorë të Facebook–ut ra me 1 milion. Nërkohë që kompania fajëson konkurrencën e fortë të rivalëve si TikTok dhe YouTube.

“Ekipet po bëjnë një punë mjaft të mirë dhe produkti po rritet shumë shpejt,” tha Zuckerberg.

“Ajo çka është më unike këtu është fakti se TikTok tashmë është një konkurrent shumë i madh dhe vazhdon të rritet me një ritëm mjaft të shpejtë.”

Performanca e dobët bëri që vlera e tregut të aksioneve të kompanisë të binte me afërsisht 200 miliardë dollarë, duke çuar në një rënie të pasurisë së Zuckerbergut, e cila është kryesisht e lidhur me aksionet e Meta-s.

Zuckerbergu renditet si personi i shtatë më i pasur në botë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut, me vlerën e tij neto para rënies së çmimit të aksionit të vlerësuar në 121 miliardë dollarë.

Zuckerbergu tha se ishte i bindur se fokusi i ri i kompanisë në Metaverse do të provonte një mundësi masive për rrjedha të reja të ardhurash dhe rritjeje. Megjithëse disa janë skeptikë rreth premtimit të botëve virtuale.

Elon Musk, i cili kryeson listën e njerëzve më të pasur në botë, së fundmi shprehu dyshime për metaversin, duke pretenduar se ishte një teknologji e skajshme të cilës i mungon sharmi i mediave tradicionale sociale.