Përhapja e koronavirusit edhe në Kosovë ka bërë që shumë biznese private të mbyllen.
Rrjedhimisht, i madh është edhe numri i punëtorëve që do të pushojnë deri në përmirësimin e gjendjes nga pandemia, raporton KOHA.
Por, shqetësuese për një pjesë të këtyre punëtorëve është pushimi pa pagesë.
Ndonëse për shkak të situatës nuk pranojnë të flasin para kamerës, prapa saj, shumë punëtorë të sektorit privat kanë treguar se punëdhënësit e tyre nuk do t’ua paguajnë ditët që do të qëndrojnë në pushim.
Ligji i Punës në asnjë nen të tij nuk përmend çështjen e pushimit të punëtorëve në gjendje emergjente.
Derisa as Kontrata e Përgjithshme Kolektive nuk parasheh një situatë të tillë.
Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat kërkon nga Qeveria që të ndajë para për bizneset e mbyllura, në mënyrë që ato të t’i paguajnë punëtorët gjatë pushimit.
Nëse kjo nuk është e mundshme, kreu i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, thotë se duhet të shikohen alternativa të tjera.
Në anën tjetër, edhe Inspektorati i Punës kërkon që bizneset e mbyllura t’i paguajnë punëtorët që qëndrojnë në pushim.
Në mesin e mijëra telefonatave që Inspektorati ka pranuar ditëve të fundit, sipas Valon Lecit, U.D i kryeshefit të Inspektoratit të Punës, janë edhe shumë ankesa të punëtorëve për mungesë të masave mbrojtëse, siç janë maskat dhe dorëzat.
KOHA ka pyetur Qeverinë për kërkesat e punëtorëve të sektorit privat, por ajo nuk ka kthyer përgjigje gjatë së martës.
Vendimi i Ekzekutivit për mbylljen e kafeneve, bareve, restoranteve, klubeve të natës e qendrave tregtare, është marrë më 13 mars.
Ai do të qëndrojë në fuqi derisa të është e nevojshme.