Situata në veri të Kosovës po vazhdon të jetë e tensionuar.
Njësitë policore të specializuara të EULEX -it janë vendosur në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak që nga 20 shtatori, në mënyrë që të monitorojnë situatën e sigurisë në terren.
Nga EULEX-i thonë se vendosja e tyre në veri është bërë pasi Policia e Kosovës zyrtarisht i kërkoi atyre që të kryejnë rolin e “shkallës së dytë për përgjigje të sigurisë”, shkruan Kosova online, transmeton “Bota sot”.
“Ne po monitorojmë nga afër situatën aktuale në vendkalimet dhe qendrat e regjistrimit të automjeteve, dhe jemi në kontakt të rregullt me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Gjithashtu, ekipet nga Njësia për Mbështetjen e Dialogut të EULEX-it vizitojnë rregullisht vendkalimet dhe disa qendra të regjistrimit të automjeteve për të marrë informacion të dorës së parë si po zhvillohet situata në terren “, theksojnë nga EULEX-i.