Guri përkujtimor për nënën që dogji veten pasi iu kthyen mbetjet mortore të djemve të saj të cilët janë vrarë nga forcat serbe, ka përfunduar në mbeturina.
Fotografinë ku guri përkujtimor shihet në mbeturina, e ka postuar gazetari Arsim Lani në llogarinë e tij në Facebook.
“Na fal Nëna Pashkë! Guri, simbol i flijimit të një nëne për djemtë e saj, përfundon në mbeturina”, ka shkruar Lani.
Kujtojmë se një javë më parë, pronari i tokës ku po qëndronte ky guri, vendosi që ta largonte atë.
Lidhur me këtë çështje ka pasur reagime të shumta.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) përmes një reagimi publik, ka shprehur keqardhje për heqjen e gurit përkujtimor të nënës Pashke Markaj në Korenicë të Gjakovës.
Në reagim thuhet se “ky gurë ishte vendosur në vitin 2004, si një formë memorializimi për ngjarjen tragjike të vetëflijimit të nënës Pashke, e cila dogji veten pasi varrosi dy djemtë e saj të cilët ishin zhdukur më 27 prill 1999 dhe trupat e tyre ishin gjetur në varrezat masive në Batajnicë”.
Familjari i Pashke Markut, Flamur Marku, ka reaguar përmes një postimin në Facebook, duke thënë se asnjë shkëmb nuk do të mund ta përshkruante dhimbjen e Nanës Pashkë për bijtë e vrarë nga forcat armike serbe. Sipas tij, asnjë gur i hequr nuk mund ta zbehë kurrë sakrificën dhe mesazhin e saj për botën me aktin e vetëflijimit.
Cila është historia e nënës Pashkë Marku?
Historia e Pashkë Markut nuk është e panjohur në Kosovë. Më 27 prill 1999, në masakrën e Mejës ku ranë 374 martirë, ishin edhe dy djemtë e Pashkës, Gjovalini dhe Milani.
Ndonëse dihej se ishin vrarë në këtë masakër, trupat e të dyve u cilësuan si të zhdukur deri më vitin 2003 kur trupat e tyre u kthyen dhe u rivarrosën.
Për katër vite nëna Pashkë priti me shpresë për kthimin të gjallë të bijve të saj. Ajo madje kishte pohuar se nuk do të jetonte më nëse djemtë e saj nuk ktheheshin të gjallë.
Ashtu edhe ndodhi. Me 24 maj 2003 trupat e Gjovalinit dhe Milanit veçse ishin kthyer dhe tash po rivarroseshin.
E shpresa e nënës së tyre se ata do t’i ktheheshin të gjallë mori fund.
Vetëm tri ditë më pas, nëna Pashke i vuri flakën vetës për t’i dhënë fund jetës e dhimbjes për bijtë e saj.