Skema e kontrabandës, si u thye embargo për naftën ruse në Shqipëri

Rastet e bllokimit të anijeve në portin e Durrësit, si dhe shkelja e embargos së Këshillit të Sigurimit të OKB-së është kthyer në një shqetësim serioz i cili po përsëritet, e kësaj here nga Shqipëria.

Njoftimi i policisë për sekuestrimin e 22500 ton naftë nga një anije me flamur Libian, por në të vërtetë me produkt që vjen nga Rusia, ka nxjerrë në pah të dhëna se si bëhet ky trafik.

Porositësi i naftës, sipas dokumenteve të siguruara nga A2 CNN, është kompania IBGAS AG, e regjistruar në zonën e lirë Porto Romano dhe nafta u shitet kompanive shqiptare. Autoritetet kanë nisur hetimet për thyerjen e embargos nga një grup kompanish, të cilat kanë marrë përsipër shpërndarjen e naftës ruse në Mesdhe, duke bërë dhe falsifikimin e certifikatave të origjinës në ujërat territoriale të Greqisë.

Sipas dokumenteve, mbrapa këtyre strukturave qëndron Socar Trading dhe Maddox nëpërmjet kompanive bija si Oil Mar Shipping dmcc nga (Dubai) Alkagesta nga (Malta) dhe Almedia nga (Turqi).

Vetëm tre ditë më parë, po i njëjti grup, Alkagesta, tentoi të çonte naftë ruse në Spanjë në portin e Tarragones, edhe ky një rast i bllokuar nga autoritete spanjolle. Alkagesta, së fundmi është regjistruar dhe në territorin shqiptar, në zonën e lirë në Porto Romano, ku ka dhe kod identifikimi pranë Doganës Tiranë dhe është pajisur me kontratë magazinimi.

Anija “Grace Felix”, që u bllokua nga kapiteneria e portit Durrës pasditen e së dielës, rezulton të ketë përdorur të njëjtën skemë. Nga gjurmimi i bërë nga autoritetet, kjo anije është furnizuar nga anija FIDAN, e cila me datë 20 janar është ngarkuar në portin e Novorossiysk, Rusi.

Sipas të dhënave satelitore, kjo anije ka bërë rrugëtimin dhe ka ardhur në gjirin e Lakonikos të Greqisë, ku ka furnizuar me naftë ruse anijen “Grace Felix” të bllokuara në Shqipëri. Grupi i këtyre kompanive, me ndihmën e agjentëve detarë që merrem me operacione ‘’nga anija në anije’’ në ujërat territorialë të Greqisë, pajisen me certifikata origjine të falsifikuara dhe të paautorizuara nga shteti grek. Ato ndryshojnë origjinën nga Rusia në vende të tjera, në kundërshtim me sanksionet e vendosura mbi produktet hidrokarbure. Këtyre sanksioneve ju është bashkuar edhe Shqipëria.

https://www.youtube.com/watch?v=LoH0gP5hFXU&ab_channel=A2CNNAffiliate