Përveç Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, Kosovën nuk e votuan as Sllovakia e Lajçakut, Spanja e Borellit e Bullgaria e Apostolovës për t’u përfshirë në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E).
Heqja pa kushte e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, Kryeministrit Albin Kurti nuk po i kthehet me ndaljen e fushatës kundër Kosovës nga këto dy vende, ashtu siç nuk po i del e favorshme mbështetja për të Dërguarin Special të BE-së në Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shteti i të cilit, Sllovakia, nuk e njeh Kosovën dhe vazhdon të punojë kundër interesave të saj. Të tri këto shtete, kanë bërë të ditur burime të Periskopit, kanë votuar kundër marrëveshjes së KOSTT dhe ENTSO-E, e cila është miratuar të hënën nga Grupi Regjional i Evropës Kontinentale.
Votimi i marrëveshjes së përfshirjes së KOSTT në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO-E) do ta mundësojë integrimin e plotë të Kosovës në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike. Me këtë marrëveshje, për të cilën është punuar për vite të tëra, Kosova ka fituar pavarësinë në fushën e energjisë, dhe ajo është cilësuar nga liderët kosovarë si një arritje e madhe dhe si një lajm i mirë.