Nuk është vetëm se duroi një dërrmim të rëndë në ‘super e marta 2’ Senatori socialist Bernie Sanders nga rivali i tij i moderuar Biden, tani ka dyshime se si do të shpartallohet i gjithë grupi i majtë ekstrem përreth tij.
Ata qartazi e konsiderojnë se po ju bëhet me ‘hile’, e jo vetëm në favorizimin që gjoja po ju bëhet të moderuarve nga kryesia partiake, madje krahu ekstrem i tyre pretendojnë se po ju vidhen votat. Kryesia e partisë nuk është aspak pro që Sanders të tërhiqet nga gara pa e siguruar mbështetjen e votuesve të tij që ju duhen aq shumë në nëntor, transmeton Gazeta Metro.
Dikur i printe garës e dukej kandidati më i mundshëm deri sa amerikanët ja bënë të qartë se nuk i mbështesin politikat e tij ekstreme, ato ekonomike më së shumti. Tani senatori popullist socialist hoqi dorë nga mbajtja e fjalimit e natës së zgjedhjeve partiake. Por foli sot kur tha se nuk heq dorë nga gara.
Por është mësuar se Senatori Sanders nga shteti i Vermont, do të ju drejtohet mediave të mërkurën nga Burlington. Nuk është e qartë nëse ai do të heqë dorë nga gara apo do të vazhdojë para. Ai është mbledhur me këshilltarët të mërkurën, kalendari i zgjedhjeve në vazhdim duket edhe më keq për kandidaturën e tij.
Shtetet e mëdha si Florida, Illinois, Ohio, dhe Arizona i mbajnë zgjedhjet të martën, e një javë më pas në Georgia. Sanders i ka humbur zgjedhjet në këto shtete herën e kaluar kur garonte kundër Hillary Clinton. Sander qëndron së paku 160 delegatë prapa Biden, sipas numërimit të fundit, dhe do të jetë shumë vështirë për të garuar kundër Biden.
Ka disa zëra brenda partisë demokratike, mbështetës të Biden, që kanë filluar të kërkojnë që ai të tërhiqet plotësisht. Por këtë qëndrim nuk e kishte edhe zyrtarja e lartë partiake e me ndikim Donna Brazile.
Herën e kaluar kur ai kishte humbur zgjedhjet ai kishte dalë në mbështetje të fitueses së tyre, Hillary Clinton. Një numër i konsiderueshëm i mbështetësve të tij, nuk e përkrahën vendimin e tij. Rreth 20 për qind nuk kishin votuar për Clinton. Ata kishin votuar për kandidatë të pavarur, e çka i tremb më shumë demokratët amerikanë është fakti se 10 për qind e tyre kishin votuar për republikanin Trump.
Trump e Sanders aq sa nuk ju pëlqen të dy palëve ta pranojnë, kishin të përbashkëta në qëndrime politike. Posaçërisht në ato ekonomike, proteksionizmin ekonomik e ndalimin e imigracionit të tepërt. Jo për arsye të njëjta, derisa Trump është pragmatik e kërkon që tregtia të jetë e drejtë, Sanders i qasej nga këndvështrimi ideologjik.
Sanders tani ka hequr dorë nga ato politika pasi ka bërë aleancë me internacionalen e re të majtë, minoritet i zëshëm tek demokratët. Këta e shohin si të papranueshme të votojnë për një përfaqësues ‘të korruptuar’ të establishmentit të partisë demokratike amerikane. Rreziku është që tani këta deklarohen hapur se nuk do të votojnë për një kandidat përpos Sanders.
“Ne e fituam debatin ideologjik, por po e humbim debatin elektoral” tha Sanders, çfarëdo që i bie kjo. Të njëjtin arsyetim e kishte edhe miku i tij socialist përtej atlantikut, Jeremy Corbyn, simpatizanti i çdo organizimi të mundshëm anti perëndimor, ai po ashtu u mund me bashkë partiakët e tij rëndë nga konservatorët britanik.
Establishmenti tani përveç këtyre të ‘zhgënjyerve’ e ka edhe belaxhiun më të madh, që me gjithë arrogancën tani ka për herë të parë pas 15 viteve aprovimin e shumicës së amerikanëve për punën e tij si një republikan konservator.