Është e çuditshme se si rokadat në luftëra mund të ndodhin dhe të ndryshojnë fatet e aktorëve…
Javë më parë, nuk ka asnjë dyshim se qëllimi parësor i Ukrainës, do të ishte ai i uljes në tryezën e bisedimeve dhe arritjes së një marrëveshjeje me Moskën, për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë. Edhe pse duke nënvizuar gjithnjë përmes deklaratave të Presidentit Zelensky, pa dhënë asnjë centimetër të territorit të Ukrainës.
Sot ëndrra neo-perandorake e Putin-it po venitet dhe ndoshta është Kremlini ai që më shumë se kushdo do të donte të ulej në tryezë.
Është rastësore një diçka e tillë, në hijen e një konflikti që i ka rrënjët dekada më parë, që ka marrë faqe tjetër zhvillimesh vitet e shkuara dhe që ndodhet në apogjeun e një lufte të vërtetë sot?
Sigurisht që jo…
Raportimet e fundit e bëjnë situatën shumë të qartë – edhe pse lajmet, ashtu si gjatë gjithë harkut kohor të luftës, duhen marrë me kujdes.
Gjithsesi, e shkuara e këtyre shtatë muajve të fundit, na ka mësuar t’i besojmë pretendimeve ukrainase në masë më të madhe, kur bëhet fjalë për detaje nga fronti.
Shkalla e disfatës së fundit ruse është e një rëndësie akoma më të madhe se sa tërheqja ruse nga Kievi në fund të marsit. Një pikë kthese që tregon më shumë se kurrë një paaftësi strukturore të liderëve politike rusë për të kuptuar forcën dhe vullnetin e ukrainasve për t’i rezistuar armikut dhe vendosmërinë e Perëndimit për t’i ofruar armë dhe mbështetje politike Kiev-it.
Shifrat, flasin sot për rreth 6 mijë kilometra katrorë të marrë mbrapsht në shtatë-ditshin e fundit nga Kievi, pas një kundërofensive të lëshuar prej Forcave të Armatosura, kryesisht në rajonin lindor të Kharkivit (ndër të parët të pushtuar prej rusëve).
Raportet ushtarake aty, bëjnë me dije se për një ushtar rus, në front janë tetë ukrainas, të gatshëm për të marrë çdo vendim ekstrem për çlirimin e vendit të tyre.
Këtë në fakt e kanë bërë me shumë qyteza e fshatra në Kharkiv.
Kjo kundërofensivë e nisur me shumë vrull e më pas e vijuar me strategji të përpiktë nga gjeneralët ukrainas, u pa si e suksesshme që prej frymës së parë dhe zhbëri vijën primare mbrojtëse ruse.
Mijëra ushtarë janë raportuar të tërhequr, kapur, ose edhe vrarë prej ukrainasve, në aksionet për rifitimin e territorit.
Nuk është ndonjë rifitim kolosal, në kuptimin se Donbassi, rajoni industrial i përbërë nga Donetsku dhe Luhansku, gjenden ende tërësisht në kontrollin e Moskës. Pa përmendur dhe Krimenë e cila është e aneksuar nga Rusia.
Veçse, me rëndësi, është fakti se era po fillon të fryjë edhe për nga kahu ukrainas.
Në Kremlin, vijojnë të thonë se “dorëzimi i regjimit të Kievit është synimi përfundimtar”.
Fuqitë gjithsesi po i shterojnë për një qëndrim të tillë Moskës, të paktën ashtu siç shihet në këtë moment.
Kthimi në kufijtë e Ukrainës më 23 shkurt për Kievin do të thotë mposhtje e agresionit dhe ulja në tryezë për gjetjen e një marrëveshje paqeje me diplomacinë.
Në rastin më të mirë Donbasi do të jetë pa dyshim karta e negociatave e palës ruse, duke mos e diskutuar fare staus quo-në e Krimesë.
Por në kushte të tilla do të pranonte presidenti Zelensky të ulej në tryezë duke u tërhequr nga Krimea? Ndoshta falë armëve dhe ndihmave amerikane dhe të aleatëve të tjerë, qeveria Zelensky do të përfitonte nga dobësia ushtarake kundërshtare për të rimarrë edhe Krimenë, e atëherë do të ndihej i sigurt për tryezën e negociatave.
Veçse në atë rast rreziku i një përshkallëzimi me armë bërthamore do të ishte më i prekshëm.
Me shumë gjasë aleatët evropianë do të jenë ata që do të këmbëngulin më shumë për të përmbajtur me nota realizmi hovin ukrainas në front.
Sot, më së shumti, paqja (ose ajo që mund të cilësohet si e tillë në këto kushte) i leverdis Rusisë.
Kievi është ai që e do “luftën” deri ne fund më shumë…ose më saktë, i shkon për shtat në formatin e përkohshëm.
Por për të kthyer fitoren në triumf, zëri i Moskës do të jetë pa dyshim i nevojshëm.