Vetëm pak ditë pasi mori nën kontroll qytetin sudanez, RSF ka vrarë qindra civilë në spitalin kryesor të El-Fashirit. Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se agjencia e OKB-së për shëndetësinë ishte “e tmerruar dhe thellësisht e tronditur” nga raportimet për vrasjen e 460 personave në spital.
Më herët, Rrjeti i Mjekëve të Sudanit tha se të martën luftëtarët e RSF-së kishin “vrarë me gjakftohtësi të gjithë ata që gjetën brenda Spitalit Saudit, përfshirë pacientët, shoqëruesit e tyre dhe çdo person tjetër të pranishëm”. Rrjeti nuk dha shifra të sakta për viktimat, por tha se spitalet në qytet janë “shndërruar në thertore njerëzore”.
Po ashtu, Rrjeti i Mjekëve të Sudanit ka akuzuar RSF-në për rrëmbimin e gjashtë punonjësve shëndetësorë, përfshirë katër mjekë, një farmacist dhe një infermier, duke kërkuar shpërblime që kalojnë 150 mijë dollarë për lirimin e tyre.
Sulmi i së martës ndaj Spitalit Saudit është raportuar gjithashtu nga Komiteti i Rezistencës së El-Fashirit, një grup aktivistësh lokalë, i cili tha se pas ngjarjes ra “një heshtje e tmerrshme”.
Qyteti ishte bastioni i fundit i ushtrisë në rajonin e Darfurit dhe ra nën kontrollin e RSF-së të dielën, pas një rrethimi 18-mujor të shoqëruar me uri dhe bombardime të rënda.
Që nga shpërthimi i konfliktit në prill 2023, RSF-ja dhe milicitë arabe aleate në Darfur janë akuzuar për shënjestrimin e komuniteteve jo-arabe – akuza që RSF i mohon.
Me rënien e El-Fashirit, OKB-ja, aktivistët dhe agjencitë humanitare kanë shprehur frikë për fatin e rreth 250 mijë njerëzve të bllokuar në qytet, shumica nga komunitetet jo-arabe.
Mungesa e komunikimit e ka bërë të vështirë verifikimin e situatës në terren. Sipas asaj që BBC raporton, në rrjetet sociale janë publikuar pamje të ditëve të fundit që tregojnë luftëtarë të RSF-së duke ekzekutuar persona të paarmatosur.
Për shkak të vështirësive për të marrë informacion nga terreni, agjencitë humanitare thonë se përmasat e vërteta të shkatërrimit në dhe përreth El-Fashirit po bëhen të dukshme vetëm tani.
Disa njerëz kanë arritur të bëjnë udhëtimin e rrezikshëm drejt qytetit Tawila, rreth 60 km në perëndim të El-Fashirit, dhe kanë rrëfyer dhunën ekstreme që kanë përjetuar.
“Bombardimet të shtunën ishin aq të forta sa nuk kishim zgjidhje tjetër përveçse të iknim nga El-Fashiri”.
“Gjatë rrugës, RSF-ja na filmoi, na rrahu dhe na fyeu… dhe na grabiti gjithçka kishim. Disa njerëz u kapën dhe u kërkua shpërblim për lirimin e tyre. Disa nga ata që u morën më vonë u ekzekutuan. Gjatë udhëtimit, shumë njerëz u arrestuan dhe vuajtëm shumë nga uria dhe etja”.
Jan Egeland, ish-zyrtar i lartë i OKB-së për çështjet humanitare, tha se situata është katastrofike. “Ne kemi pasur masakra përveç muajve të mungesës, urisë dhe mungesës së kujdesit mjekësor”, tha ai.
“Mendoj se ky është vendi më i keq në Tokë tani; është emergjenca më e madhe humanitare në botë dhe po ndodh në errësirë – është kushtuar shumë pak vëmendje asaj që po ndodh në Sudan”.
Dr. Tedros tha se para sulmit ndaj Spitalit Saudit, OBSH-ja kishte verifikuar 185 sulme ndaj objekteve shëndetësore që nga fillimi i luftës, me pasojë 1 mijë e 204 viktima.
“Të gjitha sulmet ndaj kujdesit shëndetësor duhet të ndalen menjëherë dhe pa kushte. Të gjithë pacientët, personeli mjekësor dhe institucionet shëndetësore duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Armëpushim!” tha ai.
Marrja nën kontroll e El-Fashirit ndan praktikisht vendin në dy pjesë: RSF tani kontrollon pjesën më të madhe të Darfurit dhe të rajonit fqinj të Kordofanit, ndërsa ushtria mban nën kontroll kryeqytetin Khartum, zonat qendrore dhe lindore përgjatë Detit të Kuq.
Dy rivalët ndërluftues kishin qenë më parë aleatë, duke ardhur në pushtet përmes një grushti shteti në vitin 2021, por më pas u përçarën për shkak të një plani të mbështetur ndërkombëtarisht për kalimin drejt qeverisjes civile.
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…