Iran Badallaj, i dyshuari për krimin e ndodhur në Zhur të Prizrenit ka një të kaluar të hidhur. Babai i tij, Sulejman Badallaj e kishte vrarë në fillimet e viteve 90-të gruan dhe vjehrrin (babain e gruas).
Ky krim kishte bërë bujë në vitet 90-të, për çka Sulejmani ishte dënuar me shumë vjet burgim. Ai duhej të vuante dënimin në Burgun e Dubravës.
Por, burgun nuk arriti ta përfundonte ngase në maj të vitit 1999, Sulejman Badallaj ishte pjesë e viktimave në Masakrën e Dubravës..
I rritur pa prindër dhe në kushte të vështira, Iran Badallaj, ra në sy në shoqëri si një djalë problematik, duke bërë disa vepra penale.
Në shtëpinë e Iran Badallajt, të martën që po e lëmë pas ndodhi një fatkeqësi që tronditi Kosovën. Sami Thaçi, zyrtar policor vdiq në krye të detyrës në një aksion hetimor në shtëpinë e familjes Badallaj.
Eksplozivi i montuar në derën e hyrjes së shtëpisë ishte fatal për policin Thaçi, ndërsa nga ky shpërthim u lënduan edhe tre persona të tjerë, dy policë dhe një djalë i familjes Badallaj.
Iran Badallaj është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ndaj tij është shqiptuar masa e arrestit prej 1 muajsh.