Sulmet mbi ushtarët amerikanë nga IS-K në Afganistan, të fshehtat e organizatës Khorosan në “KM” të Ben Blushit

Libri “Kryeministri” i shkrimtarit të njohur Ben Blushi, botuar nga UET Press në vitin 2016, tregon ndër të tjera edhe historinë e Khorasani, apo Horasani, siç njihet në gjuhën e folur të perëndimit.

Autori thotë se emri i Khorasan, i cili ka qenë ‘zemra’ e Perandorisë Persiane dhe në gjuhën perse do të thotë “aty ku lind dielli”, lidhet me një profeci e cila flet për një ushtri myslimanësh me flamuj të zinj, (flamuri që personifikon Shtetin Islamik, ISIS).

Shkrimtari ka parashikuar në këtë libër, ku ngjarjet zhvillohen në vitin 2020, situatën që po ndodh sot në Afganistan. Në një nga kapitujt e romanit, Blushi shpjegon se në Khorasan, ka lindur degëzimi i celulës terroriste të IS-it, ajo që sot njihet si “Shteti Islamik Provinca Khorasan”, IS-K.

Pikërisht kjo celulë terroriste mori përsipër sulmin që ndodhi më 26 gusht 2021 në Kabul, ku humbën jetën 13 ushtarë amerikanë dhe rreth 180 civilë afganë

Ndërkohë që në libër, personazhi kryesor, një komando shqiptar që lufton në Afganistan, rrëfen historinë e vrasjes së disa snajperistëve. Ekzekutimi i tyre u mor përsipër nga organizata xhihadiste e cila quhej Organizata Transbotërore e Zemërimit Islamik ose “Otzi”.

PJESE NGA LIBRI

Snajperi i parë, që u gjet i vdekur pas dy ditësh, në një garazh të braktisur të Heratit ishte Lazslo, hungarezi që kishte kundërshtuar të vriste fshatarët që mbillnin opium. Nuk ndjeva asnjë keqardhje që nuk i kisha thënë Otzit se ai kishte refuzuar urdhrin për të vrarë. Ndoshta mund t’i kisha shpëtuar jetën por tani nuk kishte më rëndësi për sa kohë që jeta ime vlente më shumë se e tija.

Pas Lazslos u gjetën të masakruar me radhë një italian dhe dy nigerianë, të cilëve iu gjet në trup një shënim që me sa duket ishte marrë nga profecia e Muhamedit të cilin Otzi e kishte kthyer në betim të Zemërimit islamik.

Profecia fliste për një ushtri myslimanësh me flamuj të zinj të cilët do shkonin në Jerusalem dhe ishte shkruar dy herë me kompjuter për të mos lënë gjurmë. Një herë në variantin origjinal të Kuranit, me germa arabe dhe më poshtë ishte përkthyer në anglisht.

Gazetat afgane thanë se ky quhej Hadithi i Khorassanit dhe komentuan se rikthimi i tij pas gati një mijë e katërqind vitesh, ishte dëshmi e faktit që në Herat ishte krijuar një lëvizje xhihadiste që kishte për qëllim të nxiste rininë myslimane kundër pushtuesve amerikanë të Afganistanit. Në këtë rast, thoshte gazeta, revolta e qytetarëve afganë është deri diku e kuptueshme sidomos pas vrasjeve të katër studentëve në rrethana jo shumë të besueshme dhe pas tyre ajo e nëntë fshatarëve të cilët u ekzekutuan nga armë profesionale pa paralajmërim, kur ishin duke punuar tokën. Sipas burimeve të gazetës kryesore të Heratit mendohej se organizata xhihadiste ishte formuar në javët e fundit dhe quhej Organizata Transbotërore e Zemërimit Islamik ose Otzi. E vetmja gjurmë që kishte lënë Otzi, ishte një tatuazh i freskët në gjoksin e një studenteje të vrarë bashkë me të fejuarin e saj. Për këtë arsye mendohej se katër të rinjtë që u vranë nga patrulla amerikane, ishin të gjithë anëtar të Otzit e cila thuhet se ka mbështetje të gjerë, sidomos te studentët. Deri tani Otzi ka marrë përsipër vrasjen e katër ushtarëve të huaj të cilët ajo pretendon se kanë marrë pjesë në masakrimin e nëntë bujqve.

Komanda amerikane në Herat mohon kategorikisht pjesëmarrjen e trupave të saj speciale në këtë ngjarje ndërkohë që po heton për zhdukjen e një ushtari shqiptar që prej disa ditësh nuk është kthyer më në kamp.

Shqipëria është një vend aleat i Amerikës në pushtimin e Afganistanit, megjithëse ka një përqindje të lartë myslimanësh.