Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ish-komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, ia kishte ndaluar një helikopter që MPB-ja e kishte marrë me qira për të transportuar ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiç, nga pika kufitare në Jarinje ku ishte arrestuar, më 10 dhjetor 2022.
Këto komente, Sveçla i ka bërë në një intervistë për “Kallxo.com”, pasi që është pyetur se pse Kosova nuk ka ende helikopter dhe nëse ka plan për blerjen e tyre.
Sveçla ka thënë se ka plane për blerjen e tyre, por para se të ndodhë kjo duhet të jap leje KFOR-i.
“E kemi një problem; hapësirën ajrore e kontrollon KFOR-i, do të thotë ne nuk jemi plotësisht sovranë”, tha ai.
Pra, pa lejen e tyre, kreu i MPB-së theksoi se “nuk mund ta blejmë”.
“Ristuccia ma ka ndalë helikopterin privat me marrë Pantiç-in nga Jarninja me dërgu në burgun e Mitrovicës, që e kena marrë na me qira si Ministri e Punëve të Brendshme”, tregoi ministri.
Ai tregoi se helikopteri në fjalë ishte marrë nga një kompani e huaj që jep me qira helikopterë.
I pyetur nëse ka pasur negocim me terroristët serbë që sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023, në Banjë të Zveçanit, të prirë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, për t’u larguar në Serbi, ai mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Asnjëfarë negociate s’ka pas”.
Ndryshe, ish-polici Pantiç ishte arrestuar në pikën kufitare në Jarinje, pasi dyshohej se kishte organizuar sulmin terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, ku ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.
Për shkak të barrikadave të vendosura në komunat Veriore – të banuara me shumicë serbe – ishte e pamundur që Pantiç të transferohej nga pika e kalimit kufitar e të vendosej në ndonjë qendër paraburgimi.