Samiti i radhës i NATO-s dhe ai i Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Tiranë në tetor, kanë qenë në fokusin e takimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në takimin në Prishtinë që zgjati më shumë se një orë, sipas një reagimi të Presidencës së Kosovës gjithashtu është diskutuar mbi situatën e tensionuar në Veri.
Aty theksohet se Osmani i ka bërë me dije Ramës se Kosova ka shfaqur vullnet për deeskalimin e situatës.
“Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë”, nënvizohet në njoftim.
Pak pas takimit me Osmanin, Rama i është drejtuar zyrës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca, ndërsa ende nuk është konfirmuar takimi me kryeministrin Albin Kurti.
Ky takim që ka filluar nga ora 18:00 po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Reagimi i Presidencës së Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit.
Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.
Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.