Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati në Milot, ku u vra 28-vjeçari Klisman Tuçi (Preçi) dhe u plagos 46-vjeçari Ylli Brahimi, ky i fundit rezultonte të kishte njohur me Brilant Martinajn, i cili u ekzekutua pak ditë më parë në masakrën e Fushë Krujës.
Mediat bëjnë me dije se grupi hetimor ka vijuar punën gjatë gjithë natës së kaluar, ku ka shoqëruar deri më tani 12 persona, që dyshohet se kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Gjithashtu, janë kontrolluar dhe administruar pamjet filmike të subjekteve përreth vendit, ku ka ndodhur ngjarja, si dhe të rrugëve nga ku dyshohet se mund të kenë lëvizur në ardhje e largim autorët e dyshuar.
Grupi hetimor ka ushtruar kontroll në 8 ambiente, me qëllim grumbullimin e provave, si dhe ka sekuestruar në vendngjarje 108 gëzhoja, që janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore, së bashku me provat e tjera nga vendi i ngjarjes.
Për hetimin e ngjarjes, policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ku po aplikohen e përdoren teknikat dhe metodat speciale te hetimit.