Talat Xhaferi, u zgjidh kryeministër i Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro dhe 3 kundër, duke hyrë në histori si pari shqiptar që do të drejtojë qeverinë ve vendin fqinjë.
Përfaqësuesit e opozitës maqedonase të VMRO DMNE, edhe pse të pranishëm në sallën e Kuvendit nuk morën pjesë në votim, pasi ishin kundër qeverisë teknike që do drejtojë Xhaferi.
Gjatë prezantimit në Kuvend të programit të qeverisë që do drejtojë për 100 ditë deri në zgjedhjet e parakohshme, Xhaferi iu foli në gjuhën shqipe duke nënvizuar se respektimi i ligjit dhe Kushtetutës, lufta kundër korrupsionit si dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e demokratike do të jenë prioritetet e tij.
“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizoj zgjedhje të lira dhe demokratike ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdoj t’i realizoj të gjitha reformat për integrim të vendit në BE. Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetuese. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time.
Xhaferi e konsideroi qeverinë teknike, vazhdim të qeverisë së mëparshme, duke theksuar se do vazhdojë të njëjtat politika të ndjekura prej saj.
Kandidat për kryeministër në RMV edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njëjta, dhe dua të ju sigurojë që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimin e vendit, do të jetë obligim i imi. Për të ecur drejt rrugës së BE-së ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta që i takon një shteti serioz. Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve
Ndërkaq deputeti i VMRO DMNE Antoni Milloshovski tha se nga sot Republika e Maqedonisë së Veriut është qiraxhi në shtetin e vet.
“Një dezertor dha dorëheqje, një tjetër po ulet në vendin e tij. Mos prisni nga Talat Xhaferi që të jetë më i mirë se Kovaçevski dhe të punoj në të mirë të shtetit. Sot Kovaçevski dhe Mariciç, e shitën shtetin, për interesa të tyre Maqedonia sot është qiraxhi në shtetin e vet…’- tha ai.
Kreu i BDI Ali Ahmeti e quajti një ditë ditë historike për të gjithë shqiptarët, ndërsa replikoi edhe me deputetin Milloshoski.
Nuk është e vërtetë që ju jeni qiraxhi, por është një e vërtetë që Marrëveshja e Ohrit, i dha të drejtë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Kjo marrëveshje nuk u ndryshoi vetëm shqiptarëve gjendjen, por me këtë marrëveshje fituan të gjithë që jetojnë në Maqedoni, si turqit, romët, serbët, etj.