Tartufi, pasuria nëntokësore e Bullgarisë

Nga pyjet e Bullgarisë, mijëra gjuetarë tartufësh, të ndihmuar nga qentë e tyre, po e furnizojnë tregun perëndimor me kërpudhat tejet të shtrenjta.

Këta tartufë të zinj, të freskët, janë po aq aromatikë dhe të shijshëm sa ata që gjenden në territoret e njohura për tartufë në Italinë veriore – por këta janë gjetur në pyjet e Bullgarisë.

Sipas një raporti qeveritar nga viti 2020, Bullgaria është prodhuesja më e madhe në botë e tartufit të egër pyjor, dhe kërpudha e çmueshme siguron një burim të ardhurash për më shumë se 20.000 njerëz.

Tartufët bullgarë janë pothuajse të panjohur jashtë vendit, e madje edhe shumë vendës nuk kanë dëgjuar kurrë për industrinë e parregulluar e cila zhvillohet në pyjet e tyre. Vetëm 1 për qind e tartufëve që nxirren në Bullgari shiten në tregun vendës, teksa pjesa më e madhe dërgohet në Evropën Perëndimore.

Ivaylo Penev
Ivaylo Penev

Më 9 gusht, gjuetari i tartufëve, Ivaylo Penev, e lejoi Radion Evropa e Lirë që t’i bashkohet në gjueti mëngjesi për tartufë pranë qytezës verilindore Silistra, bashkë me dy qentë e tij, vëllezërit Diablo dhe Dino. Ai ka shpjeguar se si zbulohen kërpudhat misterioze, se çfarë e bën një tartuf të përkryer, dhe se sa kushtojnë ata.

Penev thotë se ndërmjet 50 dhe 60 për qind e tartufëve të zinj në tregun botëror kanë origjinën nga Ballkani, kryesisht nga rajonet me diell të Bullgarisë, Kroacisë dhe Serbisë.

“Italianët po i shesin tartufët tanë dhe po thonë se ata janë italianë”, pohon ai.

Ndonëse shifrat e sakta – përfshirë ato të publikuara nga qeveria bullgare – është e pamundur të verifikohen, ekzistimi i një tregu të zi të tartufëve në Itali është i njohur.

Tartufët e Ballkanit nganjëherë prezantohen rrejshëm se janë me origjinë nga rajoni verior italian i Piemontit, ku kërpudha e shijshme shitet me çmim të majmë. Më 2021, disa lloje të tartufëve italianë janë shitur për gati 10.300 dollarë për kilogram.

Penev bën gjah në pyjet afër Silistrës.

“Në një sezon të mirë, tartufët mund të gjenden pothuajse kudo”, sipas tij, edhe në parqet e qytetit të vendlindjes së tij. Por, në periudhat e thata, si vera aktuale, gjuetarët duhet të dinë se ku të kërkojnë saktësisht.

Çelësi drejt një gjuetie të suksesshme janë qentë, të cilët mund t’i nuhasin kërpudhat e athëta, dhe t’ua dorëzojnë ato të padëmtuara pronarëve të tyre. Penev e parapëlqen racën italiane Lagoto Romanjolo – këta qenë përshkruhen si “punëtorë të palodhshëm, me hundë të shkëlqyeshme, të cilët nxjerrin tartufët nëntokësorë”. Mund të përdoren edhe derrat, por këto kafshë kontrollohen më vështirë dhe ato priren t’i hanë kërpudhat e shtrenjta.

Penev përdor një mjet të krijuar veçanërisht për nxjerrjen e tartufëve dhe për prerjen e rrënjëve të pemëve, që shkakton dëme minimale në mjedis.

Diablo dhe Dino enden lart e poshtë nëpër pyll, duke nuhatur ajrin, para se të zhysin herë pas here hundën e tyre në tokë dhe të fillojnë të gërmojnë, siç i nxit Penev.

Tartufët zhvillohen disa centimetra nën tokë, mes rrënjëve të pemëve të caktuara, si murrizi, i cili rritet në këtë pyll. Por, kërpudhat e çmueshme në Bullgari shfaqen vetëm ku ka gurë gëlqerorë, thotë Penev.

Tartufët e mëdhenj si ky janë më të çmuarit në industrinë e restoranteve. Pas pastrimit, ata përdoren si garniturë dhe shërbehen në pjata nga kamerierët me doreza të bardha. Tartufët më të vegjël apo të dëmtuar përdoren për t’i dhënë shije supave apo gatimeve të tjera.

Penev kontrollon cilësinë e kërpudhave duke i nuhatur ato – tartufët e mirë kanë një erë të dallueshme, pothuajse frutore, e cila venitet ngadalë sikur tymi. Një tartuf i vetëm mund ta mbushë një dhomë me aromën e tij brenda pak minutash.

Tartufët e pjekur kanë strukturë të gomuar si një top plastike, ndërsa brendësia e tyre i ngjason një labirinti.

“Tartufët gjenden kudo në Evropë, por s’mund ta gjesh shijen e njëjtë si këtu”, thotë Penev. “Është punë e diellit. Vetëm Ballkanit i bie diell i tillë”.

Në Bullgari, një gjuetar arrin të sigurojë rreth 103 dollarë amerikanë për një kilogram tartufësh të zinj si këta. Në vjeshtë, gjuetia intensifikohet, teksa nis sezoni për tartufët e bardhë – të cilët konsiderohen më të çmueshmit nga kërpudhat e shijshme. Në Bullgari, gjuetarët vitin e kaluar kanë arritur të shesin tartufë të bardhë të shkallës së parë për 7.300 dollarë për kile.

“Këta janë njerëz që veprojnë gjatë tërë sezonit [të tartufëve të bardhë], dhe ata mund t’i mbledhin deri në 50 kile tartufë, por duhet të punosh pandërprerë, edhe gjatë natës”, thotë Penev, i cili shton se çmimet e larta kanë çuar në konflikte të dhunshme për territore.

Në disa zona të Bullgarisë, gjuetarët lokalë kanë vendosur kamera nëpër pyje për t’i kapur të huajt.

“Ata mund të t’i shpërthejnë gomat, të t’i thyejnë xhamat, të t’i helmojnë qentë… Nuk janë shumë, por gjuetarët e tillë ekzistojnë”, tregon ai.

Në Serbinë fqinje, dy gjuetarë tartufësh janë vrarë në dhjetorin e vitit 2020, pas një mosmarrëveshjeje për tokat me tartufë.

Ndonëse tregu për tartufë brenda Bullgarisë është i vogël, bota e gatimit po fillon t’i kushtojë vëmendje tartufëve “trakë”.

Ky dyqan tartufësh është hapur gjashtë muaj më parë në qendër të Sofjes. Pronari i dyqanit, Feodori, thotë se interesimi lokal për tartufët bullgarë po rritet, por mbetet i ulët për arsye ekonomike.

“Bullgaria është vendi më i varfër në Evropë, dhe ky produkt, siç mund ta shihni, është disi i shtrenjtë”, por turistët po vinë gjithnjë e më shumë në vendin ballkanik për të provuar tartufët e zinj dhe të bardhë bullgarë, pohon ai.

Restorantet që shërbejnë tartufë vendës në Bullgari vështirë gjenden. Kjo pjatë, e shërbyer në “La Capannina”, në qendër të Sofjes, ka shitur tartufë të zi për rreth 3.15 dollarë për gram. Kur sezoni i tartufëve të bardhë të fillojë më vonë këtë vit, copëza të tyre do të shiten për rreth 9.50 dollarë për gram.

Çfarëdo që të ndodhë me tregun e tartufëve në Bullgari, Penev thotë se ai do të vazhdojë ta shijojë procesin, jashtë në natyrë bashkë me qentë e tij, po aq sa pagesat.

“Unë nuk do të bëhem milioner”, thotë ai. “Por, është jetë e mirë”.

Përgatiti: Trim Haliti