Zëvendës drejtoresha e Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme, Vessela Tcherneva dhe bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Carl Bildt, përmes një opinioni të përbashkët kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
“Gjëja e duhur që Hashim Thaçi duhet të bëjë tani është dorëheqja nga posti i presidentit, duke i hapur kështu rrugë negociatave mes partive politike dhe zgjedhjeve të reja parlamentare. Këto zgjedhje mund të çojnë në formimin e një qeverie të re me një shumicë konstruktive në Kuvend dhe zgjedhjen e një presidenti të ri që mund të ndjekë interesat e Kosovës në dialogun me Serbinë”, theksohet në letrën e tyre.
Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, thonë në letër, ndaj Thaçit dhe një politikani tjetër të nivelit të lartë dhe ish komandantit të UÇK-së, Kadri Veseli, pritej.
“Por aktakuza erdhi si befasi. Deklarata e papritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se arsyeja e lëshimit të aktakuzës ishte se si Thaçi dhe Veseli tentuan pengimin e punës së gjykatës dhe janë përpjekur të shmangin drejtësinë. Padyshim se kishin frikë se marrëveshja e ardhshme në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë do të dëmtonte Dhomat e Specializuara dhe punën e saj. Nëse ky ishte qëllimi i Thaçit, kjo do t’i kthehej në mënyrë spektakolare”, theksohet në opinionin e tyre të përbashkët në webfaqen e Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme.
Ata po ashtu kanë shkruar edhe se pas anulimit të takimit në Washington, Franca e Gjermania kanë rishprehur qëndrimin se presin që dialogu Kosovë-Serbi të rinisë shpejt, duke cituar edhe një njoftim të ambasadës së Francës në Prishtinë se “bashkë me kancelaren Angela Merkel, presidenti Emmanuel Macron është i gatshëm të mbajë një samit në Paris”.
“Aktualisht, samiti në Paris dhe një takim pasues në Bruksel në fund të korrikut duken të mundshme, por të vështira. Një udhëheqësi e delegjitimuar e Kosovës, e akuzuar për dhjetëra krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, përfshirë vrasje, zhdukje, persekutime e torturime, nuk mund të bartin besimin dhe shpresat e kosovarëve për negociata në të ardhmen. Nën rrethanat aktuale, një delegacion i dobët dhe i delegjitimuar i Kosovës do të takohej me një ekip tejet stabil serb, pas rikonfirmimit të presidentit Vuçiq në zgjedhjet e fundit, tejet diskutabile në Serbi. Mangësitë e demokracisë në Serbi janë të shumta, por në këtë rast ato e kanë bërë Vuçiqin të duket më i fortë”, kanë shkruar Bildt e Tcherneva.
Ata vlerësojnë se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës duhet të bazohet në themelet që janë të qëndrueshme për të dyja vendet, dhe në rastin e Kosovës, s’është koha e duhur.
Tutje thuhet se në rast se aktakuza kundër Thaçit e Veselit nuk vërtetohet, Thaçi gjithsesi s’do të kishte autoritet të madh. “Mandati i tij megjithatë skadon në më pak se një vit, dhe ai ka thënë se nuk e ka ndërmend të rikandidojë”, thuhet në letër.