Anëtarët e grupit fetar hebre, Lev Tahor, të cilët kanë qëndruar në lindje të Komunës së Ilixhes afër Sarajevës, janë larguar nga Bosnje-Hercegovina më 3 shkurt dhe janë nisur drejt Malit të Zi, ka njoftuar Shërbimi për Çështjet e të Huajve të BeH.
“Mbrëmë vonë, një grup prej 37 shtetasish të huaj janë larguar nga Bosnje – Hercegovina në pikën kufitare Delleushë. Bëhet fjalë për shtetas të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Guatemalës, të cilët kanë shkaktuar brenga publike në periudhën e kaluar, bazuar në pretendimet se janë anëtarë të sektit radikal, Lev Tahor”, është thënë në deklaratë.
Shërbimi thekson se këta persona janë larguar nga Bosnje e Hercegovina para skadimit të afatit të qëndrimit pa viza, duke respektuar dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin për të Huajt.
Tridhjetë e shtatë nga 200-300 pjesëtarë të grupit Lev Tahor në gjithë botën, besohet se kanë arritur në Bosnje në nëntor të vitit 2021.
Grupi Lev Tahor dhe ish-lideri i tij janë akuzuar në të kaluarën për krime kundër fëmijëve, duke përfshirë kidnapime dhe martesa të tyre.
Anëtarët e këtij grupi kanë kërkuar me dekada një shtet që do të ishte nikoqir i interpretimit të tyre ultra-ortodoks të Torës.
Ata kanë qëndruar edhe në vende tjera për katër dekada prej themelimit të grupit në Izrael, në fund të viteve 1980.
Më 2018, udhëheqësia e grupit Lev Tahor ka kërkuar azil në Iran, ndonëse plani besohet se ka rënë në ujë, pas dëbimit nga ana e autoriteteve irakiane për në Turqi.