“Të gjashtë kundër Turqisë” drejt Prizrenit përballë kërcënimeve e anulimit

Shfaqja “Të gjashtë kundër Turqisë”, e cila kishte trazuar autoritetet turke ende pa u dhënë premierë në Prishtinë, është anuluar në Prizren për “shkaqe teknike”, në mungesë të ngrohjes, në teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu”, por rasti është i më i nxehtë sesa kaq. Sapo qe shpallur 6 dhjetori si datë për dhënien e shfaqjes, nisën kërcënimet në adresë të ekipit e tash është bërë publike edhe letra e një anëtari të Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili i kërkon kryetarit Shaqir Totaj ta anulojë shfaqjen e “përgatitur kundër interesave të Turqisë, po ashtu kundër presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, dhe vlerave të komunitetit turk”. Për shfaqjen, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, ende nuk ka datë të re

Dukej një çështje krejt e thjeshtë: “Të gjashtë kundër Turqisë” do të vazhdonte rrugëtimin nëpër qytete të ndryshme, data ishte caktuar, e po ashtu edhe qyteti i radhës. Por rasti i Prizrenit është më i komplikuar sesa kaq.

Sapo u shfaq 6 dhjetori për dhënien e shfaqjes në teatrin “Bekim Fehmiu”, në rrjete sociale nisën kërcënimet e gjuha e urrejtjes në adresë të ekipit, shfaqja u anulua për “shkaqe teknike”, pret një datë të re, por historia nuk përfundon me kaq.

Kërkesa për anulim i është adresuar zyrtarisht edhe kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e aty i bëhet me dije se ky produksion teatror, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, “është përgatitur kundër interesave të Turqisë, po ashtu kundër presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, i cili po ashtu është qytetar nderi i Komunës së Prizrenit”. “Kërkesa për anulimin e shfaqjes së datës 6 dhjetor 2024, pranë ‘Teatres së Qytetit Bekim Fehmiu’”, është nënshkruar nga Ertan Simitçi, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, kryetar i Partisë Turke të Lëvizjes Novatore. Kryetarit i drejtohet edhe si përfaqësues i komunitetit turk. Kërkesa e tij është e qartë: shfaqja të anulohet. “Kjo shfaqje është kundër vlerave të komunitetit turk”, gjykon pas konstatimeve se është “kundër Turqisë e presidentit turk”. Kërkesa mban datën dy dhjetor. Është bërë publike nga “Qendra Multimedia” që e ka prodhuar shfaqjen dhe e cila të mërkurën pasdite ka dalë edhe me një sqarim publik në lidhje me anulimin e shfaqjes.

Simitçi e lut kryetarin e Totaj që të shfrytëzojë kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore dhe të mos lejohet që të jepet shfaqja, të cilën ai, siç shkruan “Multimedia”, nuk e ka parë.

“Në emër të komunitetit turk po ashtu edhe si përfaqësues i komunitetit turk, po ju kërkojmë që të merrni masat e duhura për ta anuluar këtë shfaqje. Në e dimë që Ju si kryetar nuk keni pasur informatë rreth kësaj çështjeje, andaj ne kërkojmë që të kërkohet përgjegjësi nga drejtori i teatres dhe menaxhmenti për këtë ngjarje”,  ka shkruar Simitçi. Në tre rreshtat e fundit të letrës shpreson që kryetari t’ia miratojë kërkesën edhe për një arsye. “Shpresoj që kjo kërkesë të gjejë mirëkuptimin nga ana e Juaj pasi që ne e dimë se Ju keni edhe marrëdhënie shumë të mira me komunitetin turk në Kosovë dhe me institucionet e Republikës së Turqisë”, përfundon Simitçi kërkesën e tij.

Teatri i qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” ka njoftuar se shfaqja anulohet për shkaqe teknike, “do të shtyhet për një datë tjetër, e cila do të bëhet e ditur së shpejti”.

Pa e parë fare shfaqjen, ende pa u dhënë premierë më 16 tetor, kundër saj kishin reaguar edhe autoritetet turke. I kishte dalë punë Ambasadës së Turqisë në Kosovë. Kishte ftuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, pikërisht për “Të gjashtit kundër Turqisë”. KOHA i kishte adresuar pyetje MKRS-së dhe Ambasadës së Turqisë në Kosovë, sapo e kishte marrë informatën. I kishte pyetur, ndër të tjera, nëse është mbajtur takimi. Nuk kishte marrë përgjigje. Por një muaj më vonë, më 14 nëntor – kur dramaturgu Jeton Neziraj me “Udhëtimin e Familjes Müller në Unmikistan” mori çmimin e parë për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi” – ministri Çeku kishte thënë se e ndien obligim të shprehë solidaritet institucional me të pasi kohëve të fundit ka qenë i sfiduar për shkak të punës së tij. E kishte pasur fjalën për rastin me Turqinë dhe me nobelistin kontrovers Peter Handke, i cili muajin e kaluar kërcënoi teatrin parisien për shfaqjen “The Handke Project” që ia heq maskën.

“Po besoj për arsye thjesht politike ose motivacione të tjera joparimore për dramën ‘Të gjashtët kundër Turqisë’ e edhe për ‘The Handke Project’ nga nobelisti i famshëm në kuptimin negativ. Si institucione dhe si shoqëri e kemi për obligim me u siguru që liria kreative dhe krijimtaria artistike të zhvillohet pa u penguar dhe kur pengohet të jemi aty në mbështetje. Jeton jemi me ty dhe gjithë krijuesit që bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”, kishte thënë ministri Çeku.
Për rastin e Prizrenit, “Qendra Multimedia” të mërkurën ka dalë me një sqarim të gjatë e në detaje. Para se të dalë te anulimi për shkaqe teknike dhe te kërkesa e asamblistit Simitçiu për anulim për shkak të përmbajtjes, ka bërë të ditur se “Të gjashtët…” pas premierës në Prishtinë dhe shfaqjeve në Teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj dhe në Teatrin e Qytetit të Gjilanit donte të vazhdonte në Prizren.

Njoftimi i teatrit “Bekim Fehmiu” për anulimin e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” të paraparë më 6 dhjetor
“Menjëherë sapo është caktuar data e rihapjes së Teatrit të qytetit të Prizrenit ‘Bekim Fehmiu’ pas renovimit, kemi pranuar ftesë nga drejtori i përgjithshëm i tij për të prezantuar shfaqjen tonë edhe atje. Kësaj ftese natyrisht i jemi përgjigjur me entuziazëm”, ka shkruar “Multimedia” në sqarim. Entuziazmi nuk do të zgjaste fort.

“Teksa përgatiteshim për të shkuar në Prizren, ne si ‘Qendra Multimedia’ dhe teatri ‘Bekim Fehmiu’ jemi bërë subjekt i sulmeve, kërcënimeve, presioneve e gjuhës urryese nga persona të ndryshëm nëpër rrjete sociale, të cilët s’e duan as teatrin e as neve në Prizren.  Fillimisht u dakorduam që shfaqjen ta luanim më 6 dhjetor. Mirëpo, për shkak se Teatri i qytetit ‘Bekim Fehmiu’ është duke u ballafaquar me probleme me ngrohje, na u desh ta shtynim shfaqjen për një datë të re, derisa të rregullohet problemi me ngrohje”, ka shkruar “Multimedia”. Në bashkërendim me Teatrin, “Multimedia” ka bërë të ditur se shfaqjen do ta luajnë “përkundër presioneve e kërcënimeve, qoftë edhe me praninë e policisë, nëse kjo gjë do të bëhej e nevojshme”. Por rasti u nxeh edhe më letrën me të cilën kryetarit të Komunës së Prizrenit i kërkohet zyrtarisht anulimi i shfaqjes.

“Paralelisht me këtë situatë të vështirësive teknike e me sulmet online, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pranuar një letër, në të cilën asamblisti i Kuvendit Komunal në Prizren, Ertan Simitçi, i drejtohet zyrtarisht me kërkesë që ta anulojë prezantimin e shfaqjes duke u bazuar në atë se ‘kjo shfaqje është kundër vlerave të komunitetit turk’. Pra, asamblisti Simitçi kërkon që kryetari të ushtrojë një autoritet që nuk i takon, mbi institucionin e teatrit, për të mos folur për çudinë e madhe që përbën fakti se asamblisti Simitçi flet për atë që është shfaqja, pa e parë asnjëherë atë dhe mbi një dije që nuk e ka për shfaqjen, ka shpërndarë edhe thirrje e gjuhë të urrejtjes online”, ka shkruar “Multimedia”. Një letër si kjo, siç shkruhet në sqarim “krahas kërcënimeve e sulmeve online, përbën ndërhyrje flagrante dhe tentim për cenim të lirisë së shprehjes artistike”.

Përderisa sipas “Multimedias”, Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” ende nuk është informuar zyrtarisht për këtë letër, për ekipin e shfaqjes është e nevojshme që Komuna e Prizrenit të dalë me një pozicionim publik e të qartë në lidhje me këtë kërkesë që ka marrë.

“Komuna duhet ta bëjë të qartë se nuk do ta censurojë e të ndërhyjë në punën e Teatrit të Qytetit; se nuk do të tentojë ta ndalojë shfaqjen kur të caktohet data e re dhe se, pos që s’do ta pengojë a tentojë ta ndalojë atë, do të sigurohet që t’i njoftojë asamblistët se teatri është politik, por jo i politikës, i publikut, por jo i individëve”, ka shkruar “Multimedia” e vendosur që “Të gjashtët…” të mbërrijnë në Prizren jo si ndonjë kundërpërgjigje ndaj këtyre presioneve, por si vazhdim i përpjekjes për ta çuar përpara misionin e përbashkët dhe atë të teatrit, “që t’i ftojmë shoqëritë të komunikojnë, reflektojnë e bisedojnë për çështje të ndryshme shoqërore”.

“Teatrin tonë s’e kemi bërë e as nuk kemi ndër mend ta bëjmë motor propagandistik për hir të askujt apo kundër dikujt.  E ftojmë Komunën e Prizrenit të reflektojë si dhe gjithë akterët kulturorë në Prizren të reagojnë në mbështetje të lirisë së shprehjes artistike dhe kundër çfarëdo përpjekjeje për ndërhyrje në punën krijuese të institucioneve kulturore. Reagimi bëhet edhe më i domosdoshëm sidomos kur këto përpjekje vijnë nga dikush në pozitë të pushtetit, që mendon se ka legjitimitet të kontrollojë se çka guxon e çka nuk guxon të prezantohet në institucione publike të kulturës”, shkruhet në sqarim.

KOHA ka provuar të kontaktojë kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe drejtorin e përgjithshëm të Teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa, por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë përgjigje.

“Të gjashtë kundër Turqisë” e ka zanafillën te mësimdhënësit turq të cilët në një mëngjes të vitit 2018 ishin kapur nga Policia e Kosovës. Atyre u ishin revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë dhe shteti më i ri në Evropë ua kishte dorëzuar shërbimeve turke, ku nëpërmjet një avioni të veçantë ishin dërguar në Turqi, drejt e në burg.  Të gjashtit, sipas shtetit turk që udhëhiqet prej vitit 2002 nga Recep Tayyip Erdogan, ishin pjesë e “krahut” të klerikut në ekzil, Fetullah Gülen. Lëvizja e Gülenit – dikur prej njerëzve më të afërt të Erdoganit – fajësohet nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Asokohe arrestimet në Turqi ishin në masë. E shfaqja e “Qendrës Multimedia” merret me autoritarizmin. Shtron pyetje relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve.

Paralajmërimi për këtë premierë kishte nxitur reagime edhe në mediat turke.  Publikisht një gjë e tillë ishte bërë nëpërmjet medias “Yeniakit” që njihet si platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi. Ayhan Demir, që vetidentifikohet si shkrimtar për çështje ballkanike, kishte shkruar tekstin “Propaganda e FETO-s në Kosovë”. Në këtë shkrim ai kishte bërë një bilanc të ndihmave që, sipas tij, Turqia ia ka bërë Kosovës. E më pas kishte nisur të tregojë se shfaqja nuk përmend heronjtë e veteranët e grushtit të shtetit dhe se Fetullah Gülen nuk përshkruhet si terrorist, por si klerik në ekzil. Madje autori publikisht kishte kërkuar edhe llogari nga Ministria e Kulturës në Kosovë.

“Ministria e Kulturës e Kosovës nuk mund të izolohet duke thënë se ka përkrahur ‘Qendrën Multimedia’ dhe jo këtë shfaqje. Pritja jonë nga Ministria e Kulturës e Kosovës është që të njoftojnë se mbështetja që i është dhënë ‘Qendrës Multimedia’ do të tërhiqet nëse vihet në skenë kjo shfaqje, e cila do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, kishte shkruar Demir duke kërkuar që autoritetet e Kosovës të mos përpiqen të fshihen pas “perdes së ‘demokracisë’ ose ‘lirisë së mendimit’”.

“Së fundmi: Ambasada jonë në Kosovë është e interesuar nga afër për këtë çështje. Ajo jep informacionin dhe paralajmërimet e nevojshme me përpikëri. Shpresojmë që autoritetet e Kosovës t’i kushtojnë vëmendje kësaj këshille dhe të mos lejojnë që miqësia jonë e lashtë të dëmtohet. Përndryshe, është një thënie e vjetër: ‘Ai që nuk ndjek këshillën, do ta godasë fatkeqësia’”, shkruan Demir.