“Të gjashtët kundër Turqisë” në Prishtinë çon pluhur para premierës

Zanafillën e ka te rasti i vitit 2018, kur gjashtë mësimdhënës turq u arrestuan e u deportuan në Turqi, që i akuzon si pjesëtarë të “krahut” të klerikut në ekzil, Fetullah Gülen, por në esencë shfaqja ka për bazë autokracinë. “Të gjashtët kundër Turqisë” do të jepet sonte premierë, e ende pa dalë në skenë për të kanë nisur reagimet. Një platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi e quan shfaqjen “propaganda e FETO-s në Kosovë”, kërkon reagimin e shtetit, e KOHA ka marrë vesh se për shfaqjen është interesuar edhe Ambasada e Turqisë në Kosovë. Dramaturgu Neziraj ka shmangur një fluturim nëpërmjet Stambollit

Tashmë është bërë gati e pashmangshme që dramat e Jeton Nezirajt të çojnë pluhur e të nxisin reagime ende pa u dhënë premierë. Për një shfaqje, kjo është përparësi. Neziraj u rreket temave aktuale duke i bërë pjesë të teatrit. Synimi i tij që problemet e përditshmërisë të “përkthehen” në shfaqje e si teatër të ngrenë pyetje e të provokojnë debat, nis të realizohet pa u ngritur perdet.
Njëjtë po ngjan edhe me dramën “Të gjashtët kundër Turqisë”, me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Nezirajt, që do ta ketë premierën sot (e mërkurë) në teatrin “Oda”.

Para se të jepet premiera, kanë nisur reagimet publikisht e edhe midis institucioneve shtetërore. E rrëfimi i shfaqjes bazën e ka te një ngjarje që kishte bërë bujë para gjashtë vjetësh.

Të martën vonë KOHA ka marrë vesh se Ambasada e Turqisë në Kosovë e ka ftuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, pikërisht për “Të gjashtët kundër Turqisë”. Për këtë KOHA u ka adresuar pyetje MKRS-së dhe Ambasadës së Turqisë në Kosovë, sapo e ka marrë informatën. I ka pyetur, ndër të tjera, nëse është mbajtur takimi.

“Të gjashtët…” e ka zanafillën te mësimdhënësit turq të cilët në një mëngjes të vitit 2018 ishin kapur nga Policia e Kosovës. Atyre u ishin revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë dhe shteti më i ri në Evropë ua kishte dorëzuar shërbimeve turke, ku nëpërmjet një avioni të veçantë ishin dërguar në Turqi, drejt e në burg.

Të gjashtit, sipas shtetit turk që udhëhiqet prej vitit 2002 nga Recep Tayyip Erdogan, ishin pjesë e “krahut” të klerikut në ekzil, Fetullah Gülen. Lëvizja e Gülenit – dikur prej njerëzve më të afërt të Erdoganit – fajësohet nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Asokohe arrestimet në Turqi ishin në masë. E shfaqja e “Qendrës Multimedia” merret me autoritarizmin. Në njoftimin për shfaqjen, produksioni citon se si sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin drejt autoritarizmit është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin nga demokracia dhe se regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre.

“E frymëzuar nga ‘Të shtatët kundër Tebës’, ‘Të gjashtët kundër Turqisë’, përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?”, shkruhet në njoftimin e “Qendrës Multimedia”. Sipas sqarimit, “Të gjashtët kundër Turqisë” shtron pyetje kohërisht relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve. “Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi nënkupton se edhe rrugëtimi deri te procesi i provave nuk ka qenë i lehtë”, sqarohet në njoftim.

“Të gjashtët kundër Turqisë” pos ngjashmërisë në titull me tragjedinë e Eskilit “Të shtatët kundër Tebës” ngjashmëri ka edhe te lufta për pushtet.

Jeton Neziraj ka thënë se në kohën e dërgimit të gjashtë turqve në Turqi, njerëzit kanë shtruar pyetje legjitime.

“Atyre ditëve, kur në televizionet tona u dhanë pamjet e gjashtë shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë: si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit në Kosovë”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme.

“Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin. Kjo shfaqje është një denoncim për ‘farat e fashizmit’ të cilat po mbillen e po mirëmbahen në Evropë nga udhëheqës autoritarë, aktualë e të tjerë në ardhje, në një Evropë që nuk është imune nga fashizmi, përkundrazi”, ka thënë ai.

Por paralajmërimi për këtë premierë ka nxitur reagime edhe në mediat turke.

Publikisht një gjë e tillë është bërë nëpërmjet medias “Yeniakit” që njihet si platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi. Ayhan Demir, që vetidentifikohet si shkrimtar për çështje ballkanike, ka shkruar tekstin “Propaganda e FETO-s në Kosovë”. Në këtë shkrim ai bën një bilanc të ndihmave që, sipas tij, Turqia ia ka bërë Kosovës. E më pas nis të tregojë se shfaqja nuk përmend heronjtë e veteranët e grushtit të shtetit dhe se Fetullah Gülen nuk përshkruhet si terrorist, por si klerik në ekzil. Madje autori publikisht kërkon edhe llogari nga Ministria e Kulturës në Kosovë.

“Ministria e Kulturës e Kosovës nuk mund të izolohet duke thënë se ka përkrahur ‘Qendrën Multimedia’ dhe jo këtë shfaqje. Pritja jonë nga Ministria e Kulturës e Kosovës është që të njoftojnë se mbështetja që i është dhënë ‘Qendrës Multimedia’ do të tërhiqet nëse vihet në skenë kjo shfaqje, e cila do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, shkruan Demir. Kërkon që autoritetet e Kosovës të mos përpiqen të fshihen pas “perdes së ‘demokracisë’ ose ‘lirisë së mendimit’”.

“Së fundmi: Ambasada jonë në Kosovë është e interesuar nga afër për këtë çështje. Ajo jep informacionin dhe paralajmërimet e nevojshme me përpikëri. Shpresojmë që autoritetet e Kosovës t’i kushtojnë vëmendje kësaj këshille dhe të mos lejojnë që miqësia jonë e lashtë të dëmtohet. Përndryshe, është një thënie e vjetër: ‘Ai që nuk ndjek këshillën, do ta godasë fatkeqësia’”, shkruan Demir.

Dramaturgu Jeton Neziraj i është shmangur një udhëtimi ku Turqia ishte vend transit i linjave të avionit.

Një nga dramaturgët shqiptarë më të njohur ndërkombëtarisht, Neziraj, që para më shumë se një dekade ishte drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, është autor i më shumë se njëzet dramave dhe njëkohësisht dramaturgu më i përkthyer e më i inskenuar i Kosovës në botë. Revista gjermane e teatrit “Theater der Zeit” e ka përshkruar atë si “Kafka i Ballkanit”, përderisa sipas “The Guardian” dramat e tij janë “të zhurmshme, të guximshme dhe absurde që sjellin në mend Ibsenin, Molièrein dhe Kafkan, ndërsa shpërthejnë kundër korrupsionit dhe padrejtësisë”./Koha