Nga: Skënder Latifi
Sekretari i Komitetit Krahinor të Kosovës, Veli Deva, i ka paraqitur shifrat ilustruese në raportin e tij dhe në to ishte verifikuar se në Kosovë nga ana e Shërbimit Sekret të Shtetit ishin “hapur 120 mijë dosje, ndërsa 900 dosje u përkisnin përfaqësuesve të ndryshëm politikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Përfaqësuesit politikë ishin përcjellë veçmas prej vitit 1960. Masa të veçanta ishin ndërmarrë kundër inteligjencës shqiptare dhe në pozitë më të keqe kishin qenë arsimtarët gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe të lëndës së historisë. Këta janë thirrur shumë shpesh në stacionet e Shërbimit të Punëve të Brendshme dhe janë kërcënuar se çfarë duhet t’u mësojnë nxënësve, duke u thënë se si duhet ta trajtojnë shkrimtarin e caktuar apo ngjarjen historike
Veli Deva ka ofruar argumente të bollshme, duke e vënë theksin në një pikë mjaft të ndjeshme se prej nga ishte projektuar sjellja e UDB-së në Kosovë në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas Devës, në radhë të parë duhej të shihej se çfarë mësohej për shqiptarët në shkollat e Shërbimit Shtetëror të Sigurisë dhe Shërbimin e Punëve të Brendshme.
“Të gjitha vlerësimet që ne i kemi bërë kohëve të fundit, duke e studiuar gjendjen te ne, dëshmojnë se strukturat më të larta të Shërbimit të Punëve të Brendshme prej nivelit federativ e deri në atë lokal, me vite kanë kultivuar mosbesim kundër pakicave nacionale, ndërsa kur është fjala për Kosovën ky mosbesim është manifestuar në masë ekstreme kundër shqiptarëve”, ka vazhduar ai, duke shtuar se para të pranishme “do të kërkoj falje pasi që duhej të shërbehej me një citat të librit shkollor që aktualisht përdoret në shkollën e Shërbimit të Punëve të Brendshme. Ai citat qëndron në faqen shtatë, nën pikën tre me titull “Pakicat kombëtare në vendin tonë” dhe thotë si në vijim: “Tek ata ndjenja kombëtare (në dokument në origjinal është momenti nacional – S. L.) është e fuqishme dhe si të tillë ata shpeshherë janë të gatshëm të vihen në shërbim të Shërbimit Kundërzbulues të vendit amë. Kjo është bazë serioze dhe e vyeshme në krijimin e agjenturës. Ata janë shtetas tanë, prandaj edhe i kanë të gjitha të drejtat qytetare – ta kryejnë shërbimin ushtarak, të jenë nëpunës shtetërorë dhe deputetë popullorë, prandaj duke qenë në krye të pozicioneve të tilla ata e kanë mundësinë apo munden të mbledhin informacione të ndryshme!” Ky libër është botuar në vitin 1957 dhe përdoret ende. Kjo tezë teorike për pakicat kombëtare është zgjeruar në mënyrë absurde te ligjëruesit të cilët i mbështetin mësimet e tyre pikërisht mbi të!”
Kosova e 120 mijë dosjeve të Shërbimit Sekret të Shtetit
Në pjesën përmbyllëse të diskutimit, sekretari i Komitetit Krahinor të Kosovës, Veli Deva, i ka paraqitur shifrat ilustruese në raportin e tij dhe në to ishte verifikuar se në Kosovë nga ana e Shërbimit Sekret të Shtetit ishin “hapur 120 mijë dosje, ndërsa 900 dosje u përkisnin përfaqësuesve të ndryshëm politikë shqiptarë të të gjitha niveleve. Përfaqësuesit politikë ishin përcjellë veçmas prej vitit 1960. Masa të veçanta ishin ndërmarrë kundër inteligjencës shqiptare dhe në pozitë më të keqe kishin qenë arsimtarët gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe të lëndës së historisë. Këta janë thirrur shumë shpesh në stacionet e Shërbimit të Punëve të Brendshme dhe janë kërcënuar se çfarë duhet t’u mësojnë nxënësve, duke u thënë se si duhet ta trajtojnë shkrimtarin e caktuar apo ngjarjen historike edhe pse plani mësimor është ai që e ka miratuar Këshilli për Arsim dhe Kulturë i Republikës së Serbisë.
Çështje të veçantë për ne, paraqesin maltretimi fizik dhe një numër i vrasjeve që janë kryer, në veçanti ato që kanë ndodhur në vitin 1956 duke vazhduar deri në vitin 1963. Në bazë të rrëfimeve që janë dëgjuar nëpër tubime të ndryshme rezulton, se shumë qytetarë janë rrahur dhe ato nuk kanë qenë rrahje si ato gjatë ndeshjeve futbollistike me shufra gome, por rrahje të mënyrave mesjetare me kopaçe, me varje kokëposhtë, pra ato kanë qenë lloj-lloj rrahjesh që vetëm mesjeta i ka njohur. Këto metoda të rrahjes duket se janë përdorur gjithandej (Kosovës). Ndërsa, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të rrahur kanë mbetur invalidë të përhershëm, një numër i tyre ndodhen në spitalin psikiatrik të Nishit. Në të njëjtën linjë kanë ndodhur edhe vrasjet. Numri i vrasjeve është i madh dhe ato janë kryer në hapësirat e Shërbimit të Punëve të Brendshme ose në afërsi të tyre, apo shqiptarët e arrestuar dhe të hetuar si pasojë e dhunës kanë vdekur më vonë”, ka përfunduar Veli Deva.
“Mjetet e përgjimit i vendosëm në banesën e Mehmet Hoxhës”
Fatkeqësisht edhe pas gati gjashtëdhjetë vjetëve nga mbajtja e Plenumit të Brioneve, një pjesë e dokumenteve arkivore akoma janë të paqasshme për hulumtuesit. Ndër materialet e mbledhura nga ana e Komisionit të Komitetit Ekzekutiv të LKJ në fazën e verifikimit të sjelljes së UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit në vitet 1955 – 1966, me interes është deklarata dhënë komisionin nga ana e njerëzve të besueshëm të Aleksandar Rankoviqit, gjegjësisht Sekretarit Federativ të Punëve të Brendshme Svetsilav Stefanoviq – Qeqa (1910-1980) i cili më 25 qershor 1966 përveç tjerash e ka konfirmuar se “aparatura e përgjimit të bisedave ishte vendosur në banesën e ministrit nga Kosova, Mehmet Hoxha” ndërsa në pjesën e materialeve të emërtuara si “materiale të dokumentuara” të Komisionit të Komitetit Ekzekutiv të LKJ që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë është dëshmia e ndihmëssekretarit për Punë të Brendshme Selim Numiq, ku ai e pohon përgjimin e bisedave të Mehmet Hoxhës.
“Svetisllav Stefanoviq ma dha për detyrë që të përgjohej banesa e Mehmet Hoxhës, me arsyetimin se ministrin në fjalë në banesë po e vizitojnë disa njerëz nga Kosova (midis tyre dhe funksionarë) për të cilët thuhet se kanë qëndrime irredentiste. Mu tha që t’i veçoja dy – tre nëpunës të pjekur dhe seriozë që do ta realizonin detyrën teknikisht dhe më pastaj të incizonin dhe të përkthenin”, Të kujtojmë se Svetislav Stefanoviq-Qeqa ishte njeriu më i besueshëm i Rankoviqit dhe një zbatues i përpiktë i terrorit dhe gjenocidit në Kosovë.
Sa u përket përgjimeve, edhe pse në material nuk saktësohet kohëzgjatja e përgjimit të ministrit Hoxha, megjithatë thuhet se ajo ka ndodhur në periudhën kohore nga tetori i vitit 1954 deri në qershor të vitit 1961. Në pyetjen e kryesuesit të komisionit Cërvenkovski se a janë përgjuar edhe funksionarët të tjerë shqiptarë, Stefanoviq është përgjigjur se ka pasur direktiva të tilla por sa janë zbatuar nuk i kujtoheshin! Megjithatë në manirin e njohur policor ai ka plotësuar se “një kohë në Kosovë erdhi te fuqizimi i aksionit të irredentizmit. U zbuluan shumë grupe dhe njëri prej tyre i kishte dërguar plane veprimi edhe Mehmet Hoxhës duke theksuar se ai ishte i pakënaqshëm dhe njeri i luhatur. Më pastaj e përgjuam edhe ambasadën shqiptare në Beograd. Shokët nga Serbia ishin këmbëngulës që të përgjohej banesa e Hoxhës dhe unë e miratova kërkesën e tyre, por më vonë u konstatua se ai ishte njeri i ndershëm, prandaj edhe u çmontuan mjetet e përgjimit”, ka përfunduar Svetislav Stefanoviq.
“Serbët duhet ta vënë gishtin në kokë!”
Prej qëndrimeve të shprehura në prag të mbajtjes së Plenumit të Gjashtë të KQ të LK të Serbisë, që edhe mund të vlerësohet si pajtim me të dhënat e afruara nga përfaqësuesi i Kosovës – Veli Deva, vlen të përmendet qëndrimi i politikanes së njohur liberale të Serbisë, Latinka Peroviq (1933 – 2022).
“Në Serbi ka zënë fill qëndrimi se pse vetëm ne serbët po i qërojmë hesapet me nacionalizmin tonë dhe pse të tjerët nuk po flasin për nacionalizmat e tyre? Unë pajtohem me këtë dhe më së miri do të ishte që ne t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje duke pyetur se a jemi ne serbët konsekuent në zbatimin e kursit të Plenumit të Brioneve? Atë që e tha Veli Deva, njëherësh është plotësim i detyrave tona dhe ne në Serbi, më në fund duhet t’i qërojmë hesapet me nacionalizmin serb në shtëpinë tonë dhe sa më parë të nisim t’i riparojmë dëmet që politika e jonë nacionaliste u ka shkaktuar kombësive tona”, ka thënë Peroviq. Në të njëjtën frymë ka qenë edhe fjalimi i gjatë i anëtarit të KQ të LK të Serbisë, Millojko Drulloviq. “Kur tashmë jemi njoftuar me të gjitha ato ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë, e kam shumë të qartë se baza ideore e tyre ka qenë nacionalizmi (serb)”, ka plotësuar ai. Meqë në materialin e arkivuar nga diskutuesit tjerë vërehet qartë se mllefi i njerëzve të Aleksandar Rankoviqit ka shpërthyer sidomos pas paraqitjes së Veli Devës, gishtat e drejtuar drejt përgjegjësit Vojin Llukiq që kishte qenë prezent në mbledhje e kishin nxitur atë të reagonte, por kuptohet vetëm në frymën tipike të një udbashi të rryer dhe të pajisur me shumë përvojë për t’i fshehur krimet e bëra.
“Unë kam dhënë deklaratë dhe ajo është radhitur te dokumentet, por sa i përket përgjegjësisë, unë e pranoj atë vetëm në formën e përgjithshme e jo individuale. Pasi komisioni në fillim të shtatorit në mbledhjen e fundit më ka bërë pyetje për paraqitjen e anarkisë dhe keqpërdorimeve në Kosovë dhe pasi në raportin e komisionit kësaj çështjeje i është kushtuar mjaft hapësirë, më pastaj si dje, por edhe sot kishte shumë diskutime për këtë temë, unë dua t’i them disa fjalë”, është sqaruar Llukiq, duke shtuar se “vetë Rankoviqi ka qenë saktë dhe i mirinformuar për të gjitha keqpërdorimet e shërbimit në Kosovë”.
“U ndjeva si i dhjerë!”
Siç edhe shihet nga kronologjia e zhvillimeve në viteve 1964 – 1966, asnjëri prej protagonistëve në vitet përkatëse nuk e ka zënë në gojë veprimtarinë e UDB-së, në Kosovë, së paku publikisht por siç thamë “zjarrin” kësaj çështje ia vuri paraqitja e Veli Devës. Kjo madje shihet edhe duke u mbështetur në dëshminë me shkrim të vetë Aleksandar Rankoviqit i cili pohon se “informacionet e para se ai personalisht kishte manifestuar mosbesim ndaj pakicave kombëtare në Kosovë dhe Dukagjin, në veçanti kundër shqiptarëve dhe se komunistët e vërtetë në Serbi ishin ndjerë të turpëruar si njerëz, po edhe si serbë për shkak të një qëndrimi të tillë, pra këto informacione sipas tij, për herë të parë ishin shfaqur në opinion në vjeshtën e vitit 1966”. Kështu në rrjedhën e ngjarjeve për qërimin e hesapeve me politikën nacionaliste rankoviqiane, më 14 shtator të vitit 1966, në Kuvendin e Serbisë punimet i zhvilloi Plenumi i Gjashtë i KQ të LK të Serbisë. Qëndrimi kryesor i shprehur në plenum që duket se më së shumti e kishte goditur kryepolicin Rankoviq, gjë që ai e dëshmon me fjalët e tij, është ai në të cilin thuhej se “Aleksandar Rankoviq kishte vepruar në drejtim të degradimit të Serbisë, prandaj për qëndrim dhe përgjegjësi shtetërore, e mençuri, por dhe paraqitje të problemeve thelbësore të popullit të tyre (shqiptar) u vlerësuan lart Veli Deva dhe Xhavit Nimani, por edhe shokët e tjerë nga Kosova dhe Dukagjini”.
Mirëpo, nëse analizohet gjendja e opinionit në atë kohë në Serbi, që më vonë do t’i paraqesim edhe disa reagime të shkurtra dhe të veçanta, atëherë mund të thuhet se janë tri pika kyçe në të cilat Titoja e goditi Rankoviqin dhe që mund të quhen edhe faza. E para është vizita e Aleksandar Rankoviqin në Bashkimin Sovjetik dhe qëndrimi e pritja e ngrohtë që iu bë atij nga kreu shtetëror i Moskës zyrtare, që tashmë e shihte Rankoviqin si zëvendësin e mundshëm dhe “ideal” të Titos, më pastaj vinte çështja e përgjimit të Titos dhe e treta me çka i vihej kapaku veprimtarisë politike të Rankoviqit ishte “Aksioni i mbledhjes së armëve” në Kosovë. Ndërsa lidhur me Plenunmin e Gjashtë i KQ të LK të Serbisë, vlen të thuhet se përveç votimit unanim të vendimeve të aprovuara, aty u votua edhe propozimi i iniciuar nga Spasenija Baboviq, që Aleksandar Rankoviq të përjashtohej nga radhët LKJ! Të kujtojmë se Plenumi i përfundoi punimet më 16 shtator 1966.
“Natën vonë punimet i mbylli Plenumi i Gjashtë i KQ të LK të Serbisë. Plenumi ishte një proces gjyqësor kundër kombit serb, lëvizjes komuniste, komunistëve serbë…Komunistët shqiptarë i prinë një sulmi furioz kundër Rankoviqit dhe nacionalizmit serb në Kosovë që u zhvillua nën mbrotjen e UDB-së së tij”, ka shkruar në ditarin e tij Dobrica Qosiq që jo vetëm që ishte si pjesëmarrës por ai ishte edhe votues aktiv i vendimeve të sjella në këtë mbledhje! Ai më tej ka kujtuar detaje të tjera. “Serbët, anëtarë të Komitetit Qendror nga Kosova dhe Dukagjini, bënin gara me shqiptarët në ngritjen e akuzave kundër nacionalizmit serb. Mijallko Todoroviq deklaroi se ‘krenohet me mençurinë shtetërore të Veli Devës’. Dje, Serbia dhe udhëheqësia e saj, politikisht ia dorëzoi Kosovën – Shqipërisë. Ndërsa unë i turpëruar, heshta dhe e ngrija dorën për t’i votuar vendimet e Plenumit… Unë e tradhtova vetveten! Për herë të parë në jetë, për Bozhicën (bashkëshorten) dhe të bijën Anën në mëngjesin e kësaj dite nuk isha krenar, me dinjitet dhe burrë i guximshëm. U turpërova para Bozhicës dhe bijës sime, e cila më pyeti: ‘Babë e votove ti që xhaxha Sërbën (Saviq) ta përjashtojnë prej partie?’ ‘Po’…Unë nuk e di se si ndihej bija ime, po unë jam i turpëruar dhe fatkeq”, ka shkruar Qosiqi. Por rrëfimi i shkrimtarit të njohur për Aleksandar Rankoviqin nuk përfundon këtu.
Tradhtia e Qosiqit rreth shënimeve të Rankoviqit
Duke pasur besim të madh në Dobrica Qosiqin, në pranverën e vitit 1983, vetëm disa muaj pra se të vdiste Aleksandar Rankoviq e kishte vendosur që t’ia dorëzonte shënimet shkrimtarit të preferuar të tij dhe ata ishin marrë vesh që pasi Qosiqi t’i lexonte shënimet, ata dy të takoheshin në shtëpinë e Rankoviqit në Drazhevc të Obrenovcit. Në ndërkohë vetë Qosiqi kishte tërhequr vërejtjen se “nuk ishte koha që për botimin e shënimeve të Rankoviqit”. Mirëpo, kur në vitin 2001, Dobrica Qosiq i botoi katër vëllimet e “Shënimeve të shkrimtarit” (1951 – 1968) në pjesën “fragmente nga bisedat me Aleksandar Rankoviqin, të zhvilluara pas rënies së tij në rrethana të ndryshme” bashkëshortja e Rankoviqit – Sllavka me përkatësi kombëtare sllovene, menjëherë i kishte njohur pjesët e vjedhura nga dorëshkrimi i bashkëshortit! Përveç që Sllavka kishte trokitur në dyert e Qosiqit, përkundër këmbëngulësisë. ajo kishte ngelur duarthatë. “Ndër materialet e shumta që i kam, nuk po mundem ta gjejë dorëshkrimin e Lekës dhe as që e kam lexuar atë, shfrytëzuar dhe as që e kam ndërmend të bëjë këtë”, ishin fjalët që Dobrica Qosiq ia kishte thënë Sllavka Rankoviqit nëpërmjet telefonit!