Sulltan Berishës i çelet fytyra kur rrëfen ditët më të mira të jetës. Ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç kur familja tetanëtarëshe qëndroi një vit në Gjermani. Ishte viti 2014 kur Berishët ilegalisht morën udhë drejt Perëndimit për jetë më të mirë në ekonominë më të fuqishme evropiane. Por gjithçka mori teposhtën në një mëngjes të hershëm, kur forcat speciale policore bastisën Berishët dhe i dërguan në aeroport. Riatdhesimi u shoqërua me vështirësi për kthimin e kredisë, të cilën e kishin marrë për t’i paguar trafikantët që i nxorën nga Serbia në Hungari.
Berishët romë do të provonin edhe një herë rrugën drejt tokës së shpresës, por Gjermania do t’i kthente pas një muaji. Babai 19-vjeçar i dy fëmijëve nuk ka vend të përhershëm pune. Punon në plantacione. Po t’i jepet mundësia, përsëri do të merrte rrugën drejt shteteve perëndimore për të siguruar mirëqenien e familjes. Sikurse ai, edhe shumë të rinj të tjerë të Kosovës shpresojnë se Bashkimi Evropian, nën kryesimin gjerman të radhës, do të heqë vizat për kosovarët. Qeveria gjermane nuk ka dhënë garanci, por ka premtuar angazhim.
Por ikja e fuqisë punëtore ka nisur para disa vjetësh me viza të punës. Po ikin edhe ata që kanë vende pune në Kosovë. Po migrojnë për paga më të larta e siguri më të madhe sociale e shëndetësore në vendet e bllokut prej 27 shtetesh anëtare. Gjermania, ndër vendet më të preferuara.
Dhe gati gjysma e kompanive kosovare janë përballur me pasojat e emigrimit të të punësuarve të tyre, bëhet e ditur në analizën e Pulsit Publik, të kryer nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), bazuar në intervista e anketa me 201 biznese. “Emigrimi perceptohet vazhdimisht në ngritje dhe me ndikim në tregun e punës dhe mungesën e shkathtësive në vend”, thuhet në analizë. Përveç shpresës për mundësi më të mira pune dhe zhvillim personal ekonomik, edhe ribashkimi familjar ka luajtur rol të madh që shumë qytetarë të etnive të ndryshme ta preferojnë Gjermaninë, bëhet e ditur në analizën e UNDP-së.
Përparim Kadolli, pjesëtar i komunitetit ashkali, ka punuar disa muaj në Itali, ku i jeton e bija e martuar. Është kthyer vullnetarisht.
“Me të kallxu dogri, kjo rini pa punë mezi po pret me ik, veç puna e vizave se në plan e kanë me dalë”, thotë Hakif Mustafa, pjesëtar i komunitetit ashkali në Obiliq. Ai thotë se të rinjtë e zhgënjyer e shohin Perëndimin si shpresë të vetme për të nxjerrë familjen nga mjerimi ekonomik e social.
Botës perëndimore po ia mësyjnë edhe të rinjtë e komunitetit boshnjak në rajonin e Prizrenit. “Rinia po shkojnë në Mal të Zi, ku po punojnë në ndërtimtari, mandej po aplikojnë për viza në ambasada, se iu bie të presin më pak se këtu në Kosovë”, thotë Raif Mustafa, aktivist boshnjak nga Lubinja e Epërme. Burri, që makinën në oborr e ka me targa të Novi- Pazarit, hedh poshtë pretendimet se boshnjakët po i shfrytëzojnë pasaportat e Serbisë për të migruar për shkaqe ekonomike.
Almedin Fejza, nga OJQ “Sofra” në Prizren, thotë se mungesa e perspektivës dhe vështirësitë në arsim janë sfida të mëdha për rininë boshnjake. “… alternativë e shumicës janë vendet e Bashkimit Evropian”, thekson ai. “Kemi ardhur në situatën që në disa fshatra nuk kemi asnjë nxënës në klasën e parë për shkak të migrimit”.
Pa strategji gjithëpërfshirëse
Në analizën e Pulsit Publik të UNDP-së shkruan se arsyet kryesore të migrimit janë papunësia dhe pakënaqësia e përgjithshme, të lidhura me sistemin e dobët arsimor, mungesën e koordinimit të aktorëve përgjegjës për fuqinë punëtore dhe punësimin në vend. “Edhe situata e përgjithshme e vështirë politike dhe moszbatimi i strategjive efikase të Qeverisë për punësimin dhe zhvillimin ekonomik u përmendën si faktorë kontribues pse shumë njerëz në Kosovë, veçanërisht të rinjtë, e kanë humbur shpresën për një të ardhme në Kosovë, dhe zgjedhin emigracionin”, vlerësohet në Pulsin Publik, të bazuar nga intervistat me palë të ndryshme. Aty paralajmërohet se viteve të fundit ka ngritje të numrit të kosovarëve që po e lëshojnë vendin me synimin për të mos u kthyer.
Slobodan Saviq dhe i biri i tij, Slavisha, nga Bitia e Shtërpcës, thonë se rinia lokale ka mundësi të pakta për shkak të ndikimit të fuqishëm të politikës në të gjitha poret e jetës. “Komuna nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve”, thekson Slavisha Saviq. “Komuna, si komunë, nuk i është përgjigjur asnjë qytetari. As për shqiptarë, as për serbë”.
Shtërpca, sikurse të gjitha komunat me shumicë serbe, udhëhiqet nga Lista Serbe. Në qytezën jugore të rinjtë e intervistuar thonë se kanë mundësi të kufizuara. Nëpër restorantet përgjatë rrugës drejt Brezovicës shumë serbë të rinj punojnë si kamerierë e kuzhinierë. Flasin shqip e serbisht. Refuzojnë të flasin për ndikimin e politikës. Njëri prej kamerierëve thotë me shqipe të rrjedhshme se kurrë nuk i ka vizituar Ferizajn, Prishtinën ose Shkupin. Asnjëri prej qyteteve nuk është më larg se pesëdhjetë kilometra. “Kush ka mundësi, shkollohet në Mitrovicën Veriore në fakultet ose në Serbi. Ata që kthehen, ose duhet të bëhen pjesë e politikës, ose mund të mbesin pa punë të ‘dërzhavës’”, thotë rioshi, duke iu referuar punës në administratë lokale a qendrore. “Ata që kanë ambicie më të mëdha për karrierë nuk kthehen hiç në Shtërpcë. Rrinë në Beograd”.
Zhgënjimi me politikën “nisoj”
Politikani i ri egjiptian, Fridon Lala, ish-zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal në qeverinë e rrëzuar në pikun e pandemisë, thotë se Kosova vazhdon të jetë njëri prej topvendeve dërguese të emigrantëve në vendet perëndimore. Sipas tij, është fatkeqësi për shoqërinë kosovare që po i ikën rinia. “E për gjithë këta të rinj, Perëndimi është emëruesi i përbashkët i të gjitha mundësive që garantojnë një jetë të denjë”.
Lala vlerëson se Kosova nuk ia ka dalë të ofrojë mundësi zhvillimore për të rinjtë. Të dhënat e Pulsit Publik tregojnë se 41 për qind të kompanive as që kanë provuar t’i bindin punëtorët të mos largohen. Nuk iu kanë ofruar përmirësim të kushteve ose ngritje page. Lala thotë se kjo formë e keqmenaxhimit ka rënduar gjendjen socioekonomike dhe se migrimi ngelet e vetmja zgjidhje.
“Për një të ri, qoftë klasë punëtore apo intelektuale, Perëndimi shihet si mundësi e artë, e cila ofron kushte bazike për një punë të dinjitetshme dhe zhvillim të karrierës”, thekson ai. “Veç ofrimit të mundësive të punës, ofron edhe siguri dhe sistem kualitativ arsimor e shëndetësor, elemente shtesë për të influencuar të krijosh familje në një mjedis të tillë”.
Berisha, baba i ri rom nga Plemetini, thotë se e kishte lënë shkollën fillore në gjysmë kur migroi me familje në Gjermani. Bankave shkollore nuk iu kthye pas riatdhesimit. Tani paguhet me ditë për punën sezonale në plantacione. Kadolli, ndërkaq, u kthye vullnetarisht nga Italia në Ferizaj pasi nuk po mund të përshtatej. Ai dhe i biri i tij, Mensuri, çajnë dru nëpër furrat e bukës në rrethinë.
Lala pas studimeve universitare ka pasur mundësi për të vazhduar jetën në shtetet perëndimore. Vendosi të kthehej në vendlindje me qëllim që të kontribuojë për zhvillimin e vendit. Megjithatë, mendon se sikurse ai, edhe të rinjtë e tjerë duhet ta ndiejnë Kosovën si atdhe të tyre. Në shtetet perëndimore nuk është ndier kurrë si në Kosovë. “Për fat të mirë kemi shumë të rinj që akoma kanë shpresë dhe vullnet për të kontribuar për një Kosovë më gjithëpërfshirëse”, thekson Lala.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se shumica e punëtorëve në kompanitë kosovare e shohin punësimin si të përkohshëm, duke pritur njëherësh mundësinë e parë për migrim. “Shumica e tyre kanë hezitime që të investojnë në punëtorë pasi druajnë se ata do të ikin”, ka thënë Rukiqi.
Por nuk ka kush që ia ndërron mendjen Erxhan Kryezisë nga Fushë- Kosova që të heqë dorë nga ëndrra për të migruar legalisht a ilegalisht në Gjermani. “A pe sheh qysh po bajnë hajgare me popull e vetë po rrnojnë si mbreta”, thekson me pezëm Kryeziu, duke iu referuar politikanëve. “Edhe kejt nisoj janë; shqiptarë, romë, ashkali, serbë a shkado qofshin”.