Ditë tensioni sot në Minsk dhe në të gjithë Bjellorusinë që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale midis Alexander Lukashenko, personit që prej 26 vjetësh dominon vendin dhe që shihet nga komuniteti ndërkombëtar si “diktatori i fundit në Europë”, dhe rivalja e tij Svetlana Tikhanovskaja.
Thjesht ideja e një gare dukej deri pak kohe më parë pothuajse një mirazh për një vend që më së shumti ka mbetur ende me logjikën e Bashkimit Sovjetik, dhe ku shërbimet sekrete ende quhen KGB.
Por kriza ekonomike dhe faktorë të ndryshëm që kanë ndryshuar aleancat historike në vend kanë ndezur klimën dhe krijuar një opozitë të natyrshme, pothuajse apolitike dhe që thjesht kundërshton drejtimin e Lukashenkos.
Prova vjen pikërisht nga kandidatja e opozitës, që në zgjedhjet e kaluara politike nuk arriti të marrë asnjë vend në Parlament. Ajo jo vetëm nuk është politikane e mirëfilltë, por deri pak ditë më parë as që nuk i shkonte në mendje të sfidonte presidentin.
Svetlana 37-vjeçare është në fakt bashkëshortja e blogerit dhe aktivistit të njohur Sergej Tikhanovkij, kandidati që një javë më parë u arrestua me akuzën se po organizonte një revoltë falë mbështetjes të disa mercenarëve rus.
Pikërisht marrëdhënia me Rusinë dhe veçanërisht me Putin është një nga pikëpyetjet e mëdha për Lukashenko, më shumë se zgjedhjet që me shumë gjasa do të fitohen sërish, në një mënyrë ose në tjetër.
Marrëdhëniet e Minskut dhe Moskës janë ftohur së tepërmi vitet e fundit, dhe nga vëllai i madh dhe partneri strategjik në ekonomi dhe në diplomaci, Rusia apo shndërrohet pothuajse në një kërcënim për pushtetin e Lukashenkos, që po tenton të lidhet me perëndimin duke pranuar gazin amerikan në vend të atij rus.
“Në qoftë se dikush mendon të çojë vendin në kaos, unë do të reagojë menjëherë”, kërcënoi sot Lukashenko pas hedhjes së votës së tij në kuti. Dhe asnjë në Bjellorusi nuk ka dyshim që presidenti do të reagojë.
Si pasojë, situata sot në kryeqytet duket e nderë, me forca të shumta policie që raportohen në sheshet kryesore, dhe arrestime të shumta që sinjalizohen nga opozita, edhe kundrejt stafit elektoral të saj.
Raportimet neutrale mbeten gjithsesi të vështira, për censurën në mediat sociale dhe nga fakti që nuk janë pranuar gazetarët ndërkombëtarë, ashtu si edhe vrojtuesit e OSBE.