Tensionohet situata në konvikte, të karantinuarit kërkojnë takim me ministrin Vitia

Situatë e tensionuar po vazhdon të jetë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë që nga e diela e 3 majit kur një i ri nga Gjilani i dha fund jetës. Siguria që nga ajo ditë është shtuar me numër më të madh policësh derisa të izoluarit mendojnë se nuk po trajtohen të gjithë njësoj.

Një situatë e tillë është krijuar edhe sonte kur disa qytetarë kërkesat e tyre ua parashtruan pjesëtarëve të rendit.

Ndërkohë një qytetare e cila para 14 ditësh u vendos në karantinë pas kthimit nga Turqia thotë se prej 120 personave me të cilët udhëtoi vetëm 33 vazhdojnë të jenë në konvikte.

“Jam në konviktin numër 7. Me të madhe po dalin nga këtu. Po grinden çdo gjysmë orë dhe po dalin çdo një orë sepse nuk ka drejtësi. I kisha lut që të vjen Ministri i Shëndetësisë, sepse psikologja që po vjen këtu me i nxjerrë, të gjithëve po u jep letër që kanë probleme psikike. Jam qe 14 ditë këtu, sot në orën 12:00 më është bërë testi, ende s’i kam marrë rezultatet”, tha ajo.

“Kemi qenë 120 persona që kemi ardhur nga Turqia, në aeroport i dërguan të gjithë në shtëpia, mbetëm vetëm 41″, ka treguar ajo.

Tutja ajo thotë se pas 3 ditëve qëndrim në karantinë, kanë mbetur vetëm 33 nga grupi i saj.

“E kisha lut si një qytetare e Kosovës, që e çoj zërin që të vjen ministri Arben Vitia”, përfundon ajo.