Një 28-vjeçar në Fier është vënë nën hetim pasi ka tentuar të korruptojë një punonjës të Policisë Rrugore duke i ofruar para në mënyrë që të mos i vendoset gjoba.
I riu u ndal nga policia pasi ishte konstatuar duke drejtuar një automjet me xhama të zinj. Tashmë ai përballet me akuzën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Njoftimi i policisë:
Tentoi të korruptonte punonjësin e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative, procedohet penalisht 28-vjeçari.
Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Fier kanë ndaluar për verifikim, automjetin me drejtues shtetasin M. R., pasi është konstatuar duke drejtuar një automjet me xhama të zinj.
Me qëllim shmangien e masës administrative, drejtuesi i automjetit ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë, duke i ofruar atij një shumë parash.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për shtetasin M. R., për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.