Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka akuzuar rëndë Qeverinë e Kosovës se po tenton të përmbys rendit kushtetues. Ky reagim i tij vjen pas letrës së kryeministrit, Albin Kurti, në drejtim të Gjykatës Kushtetuese.
Letra që e publikoi i pari Reporteri, përmbante akuza të renda për gjyqtarët si joprofesional, se kanë shkelur ligjin dhe janë treguar të paanshëm. Gjykata e konsideroi të papranueshme.
“Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues!”, ka akuzuar kreu i shtetit.
Kjo duket të jetë një prej momente më delikate në shtetin e Kosovës, që prej shpalljes së tij.
Postimi i plotë:
Edhe pse është kohë pandemie, rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm. Në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë. Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.
Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë.
Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme!
Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj.
Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues! HTH