The Jerusalem Post: Qeveria e re izraelite më në fund duhet ta njohë Kosovën

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës – dhe admirimin e sinqertë të popullit të vet për shtetin hebre – Izraeli deri tash ka refuzuar të vendosë marrëdhënie me shtetin më të ri në Evropë.

Për një kohë, Izraeli është duke rritur angazhimin e tij dhe po kultivon raporte të reja në Gadishullin Ballkanik.

Sidoqoftë, harta e Ballkanit për të vazhdon të ketë një vrimë të zezë.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës – dhe admirimin e sinqertë të popullit të vet për shtetin hebre – Izraeli deri tash ka refuzuar të vendosë marrëdhënie me shtetin më të ri në Evropë.

Qeveria e re e unitetit, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, dhe kryeministri alternativ Benjamin Gantz ka rastin që më në fund të ngre këtë status-quo dhe të lëvizë drejt njohjes së Kosovës.

Qartë, hezitimi i Izraelit që t’iu bashkohet gati 100 shteteve në njohjen e Kosovës nuk avancon asnjë nga interesat e vet.

Në fakt, ka shumë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim mes dy shteteve e të cilat mbesin të paeksploruara. Me popullatën e re, Kosova e sheh Izraelin si model për të ndjekur në bërjen e ‘kombit të ri’ në Ballkan.

Popullata e Kosovës është më shumë se 90 për qind me etni shqiptare dhe njohja e shtetit nga Izraeli do të ishte shtesë e marrëdhënieve të përgjithshme të mrekullueshme mes shqiptarëve dhe popullit hebre.

Izraeli gëzon lidhje të fuqishme sot dhe po rrit bashkëpunimin në tregti, turizëm dhe siguri me Shqipërinë. Kosova do të ishte një ambient i ngjashëm miqësor për investitorët izraelitë dhe turistët dhe njohja do t’i hapte rrugë bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë.

Për më tej, dy shtetet ndajnë të njëjtat vlera dhe parime. Sikurse Izraeli, Kosova u themelua në vlerat universale të demokracisë, lirisë dhe pavarësisë. Një shtet multifetar dhe multietnik, Kosova vendosi në deklaratën e pavarësisë një zotim për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e të gjitha etnive dhe komuniteteve fetare.

Sot, shteti shërben si model për shumë vende fqinje të cilat janë duke ngecur prapa në këtë sferë. Komuniteti hebre, edhe pse tepër i vogël, njihet zyrtarisht nën Ligjin për Liri Fetare dhe gëzon të gjitha të drejtat dhe mbrojtjet sikur të gjitha komunitetet tjera.

Dymbëdhjetë vjet pas pavarësisë së Kosovës nga Serbia, frika fillestare e Izraelit se mund të konsiderohej një precedent i rrezikshëm në arenën ndërkombëtare ishte demonstruar se s’ka asnjë lidhje me realitetin.

Pavarësia e Kosovës erdhi si rezultat i procesit unik të koordinuar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë tjera perëndimore. Edhe pse Serbia refuzon ta njohë atë, pavarësia e Kosovës është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si rast ‘sui generis’ dhe është në pajtim të plotë me ligjin ndërkombëtar. Edhe më e rëndësishme, ka shërbyer si themel për paqen dhe stabilitet në Ballkan.

Duke e njohur Kosovën, Izraeli do t’u bashkohej shumicës së shteteve perëndimore që kanë bërë diçka të tillë, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar si dhe shumicës së shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Në të njëjtën kohë, do të bënte drejtësi ndaj parimit për vetëvendosje mbi të cilën ishte themeluar vetë Izraeli.

Kosova në fakt është histori e një populli të shtypur që, vetëm 20 vjet më parë, iu nënshtrua spastrimit të egër etnik të kryer nga Serbia.

Pa udhëheqjen e shteteve perëndimore me demokraci të avancuar, si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ne nuk do të flisnim sot për një shtet të lirë dhe demokratik. Në vend të kësaj, do të flisnim për një tjetër gjenocid që kishte ndodhur në zemër të Evropës më pak se gjashtë dekada pas Holocaustit.

Në vitet e ’90-a, shqiptarët në Kosovë iu nënshtruan zhvendosjes më të madhe të popullatës në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Nga popullata me më pak se dy milionë, rreth një milion shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe më shumë se 120 mijë shtëpi ishin shkatërruar. Krimet serbe në Kosovë kanë mbetur, edhe kësaj dite, pa u ndëshkuar. Mes 13000 – 15000 njerëz, shumica e tyre shqiptarë, ishin vrarë gjatë luftës. Mijëra gra – deri në 20 mijë sipas shumicës së vlerësimeve – ishin dhunuar nga ushtarët dhe paramilitarët serbë.

Kampanja e NATO-s e udhëhequr nga SHBA-ja, që i dha fund veprave monstruoze të Serbisë në Kosovë dhe i hapi rrugën për pavarësinë kësaj të fundit, u përkrah nga komunitetet hebre nëpër botë, veçanërisht nga komuniteti amerikano-hebre. Liderët hebre në SHBA ishin në mesin e zërave më të rëndësishëm dhe përkrahës që avokuan për intervenimin që parandaloi një gjenocid dhe solli paqe e stabilitet në Ballkan.

Duke u nisur nga konteksti historik, natyra unike e rastit të Kosovës, dhe potenciali që të ndërtohen marrëdhënie të rëndësishme, nuk ka arsye që Izraeli të vazhdojë të refuzojë ofertën e qartë të Kosovës për miqësi.

Dikush mund të argumentojë se duke bërë kështu, Izraeli rrezikon marrëdhëniet e veta me Serbinë.

Është e vërtetë që Izraeli dhe Serbia kanë raporte shumë të mira, por kjo vjen pavarësisht lidhjeve të afërta të Serbisë dhe përkrahjen për Palestinën, duke përfshirë në disa raste në Kombet e Bashkuara.

Pozicioni i Serbisë në këtë çështje ishte ritheksuar, së fundmi, nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Teksa nënshkruante një marrëveshje për rritje të bashkëpunimit për siguri me palestinezët në janar, ministri serb kishte thënë se “pikëpamjet e tyre për Palestinën janë të forta dhe të pandryshueshme”. Ideja që njohja e Kosovës do të rrezikonte raportet e Izraelit me Serbinë është mit – në vend të kësaj, krijimi i raporteve me Kosovën do të rrafshonte fushën.

Pritjet janë të larta për qeverinë e re të Izraelit.

Sfidat komplekse brenda dhe ato ndërkombëtare janë grumbulluar dhe janë duke pritur për udhëheqje dhe zgjidhje përfundimtare.

Por përderisa shumica kërkojnë vëmendje të madhe dhe energji, qeveria e re ka një rast të mrekullueshëm të fitojë, pa shumë përpjekje, një mik të ri në arenën ndërkombëtare dhe të konfirmojë prezencën në një rajon delikat por të rëndësishëm sikur Ballkani.

(Autori është ekspert i çështjeve të politikës së jashtme, i përqendruar në çështjet e Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Ai ka kryer masterin në Shkencat për Zgjidhje të Konflikteve në Universitetin Columbia. Shkrimi është botuar fillimisht në prestigjiozen “Jerusalem Post”)