Rreth 630 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë humbja e rastit në gjykatën e shkallës së parë kundër një kompanie farmaceutike, për një tender të vitit 2011. Përveç kësaj shume të parave, ky institucion e ka humbur edhe gjithë dosjen e lëndës. Askush nga institucionet që do të duhej ta mbronte MSH-në nuk ka shkuar në këtë seancë, duke shtyrë gjyqtarin të marrë për bazë vetëm argumentet e kompanisë farmaceutike. Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar masa për mospjesëmarrje në seancën kryesore të përfaqësueses së Avokaturës Shtetërore
Nga Saranda Ramaj
Kompania farmaceutike që ka fituar në shkallë të parë të Gjykatës Themelore në Prishtinë mbi 600 mijë euro nga Ministria e Shëndetësisë nuk është përballur fare me kundërprova nga ky institucion e as nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Përveç që këto dy institucione, si palë e paditur e si palë me interes nuk kanë marrë pjesë në seancën kryesore gjyqësorë, një tjetër skandal ka ndodhur në këtë proces. KOHA është informuar se Ministrisë së Shëndetësisë i ka humbur e gjithë dosja e tenderit të vitit 2011. Ky institucion që mund të detyrohet t’i paguajë mbi 600 mijë euro nuk ka asnjë dokument nga tenderi kontestues.
MSH-ja është pyetur për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur.
Megjithatë KOHA ka siguruar prova përfshirë një komunikim të brendshëm të zyrtarëve të MSH-së përmes e-mailit dhe një procesverbal nga gjykata që dëshmon së dosja është zhdukur.
Një zyrtar që kishte marrë pjesë në njërën nga seancat gjyqësore në këtë rast u kishte shkruar eprorëve duke i njoftuar për çfarë kishte ndodhur atë ditë në seancë.
“Ne seancë u bë e ditur se përkundër faktit që palë e paditur është OSHP-ja, ndërsa palë interesi është MSh-ja, por në rast të dëmshpërblimit eventual, ajo do i ngarkohet MSh-së si Autoritet Kontraktues që ka paguar. Përveç kundërshtimit të ekspertizës nga aspekti profesional i prokurimit, është shumë me rëndësi që të gjendet dosja e lëndës dhe të krahasohen dëshmitë e prezantuara nga paditësi me dosjen e ofertimit, si dhe të mbrohet ky rast në nivelin më të lartë ligjor, pasi që unë mund të përfaqësojë vetëm nga aspekti teknik”, thuhet në e-mailin e zyrtarit të MSH-së që ishte i pranishëm në njërën nga seancat në këtë proces. Ky e-mail është shkruar në nëntorin e vitit 2021.
Dokumenti tjetër që dëshmon humbjen e dokumenteve të MSh-së për këtë rast është edhe një procesverbal gjyqësor. Aty përfaqësuesi i MSh-së pranon që nuk e kanë gjetur ende dosjen e lëndës.
“Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë në pyetje për ekspertin deklaroj: Edhe pse kjo lënë ka qenë gjatë për proces dhe përkundër kërkesës më herët që të sigurohet dosja e lëndës në të cilën gjendet oferta e Operatorit Ekonomik – paditësit, në këtë rast konsideroj që është e vështirë që të vlerësohet objektivisht edhe në mënyrë të sigurt këto çështjet kontestuese”.
“Zhdukja e dokumenteve” është vetëm një nga problemet e këtij rasti.
KOHA u ka dërguar pyetje Organit Shqyrtues të Prokurimit se pse askush nga zyra ligjore e këtij institucioni nuk ka shkuar për ta kundërshtuar padinë e kompanisë farmaceutike në shqyrtim kryesor. Në aktgjykim thuhet që ftesa i kishte shkuar zyrtares Erlehta Popaj, por që ajo nuk ka marrë pjesë.
Popaj ka thënë se për këtë çështje do të përgjigjet të hënën.
“Kërkojmë nga ju mirëkuptim për faktin që përgjigjet për pyetjet tuaja nuk janë adresuar sot (lënda duhet te analizohet për çdo veprim që është ndërmarrë nga OSHP) por nëse për ju nuk do jetë vonë, të hënën do merrni përgjigje nga ne”, ka thënë ajo.
Ministria e Shëndetësisë, do të duhej të përfaqësohej në këtë rast nga Avokatura Shtetërore që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Por Avokatja Shtetërore, Ilire Aydogan, nuk është paraqitur në seancën kryesore. Nga ky institucion kanë treguar procedurën e përfaqësimit të një rasti në gjykatë.
“Në lëndët për të cilat është iniciuar konflikt administrativ, Avokatura Shtetërore pas pranimit të padisë dhe Aktvendimit të Gjykatës, i siguron të gjitha provat nga autoriteti që ka nxjerrë aktin administrativ dhe mbi bazën e provave, ushtron përgjigje në padi, duke i kundërshtuar pretendimet e paditësi”, kanë deklaruar nga kjo ministri.
Ata kanë sqaruar që për shkak të numrit të madh të rasteve, pjesëmarrja e avokatëve caktohet sipas prioriteteve.
“Për shkak të ngarkesës në numrin e madh të seancave gjyqësore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, avokatët shtetëror i japin përparësi seancave në procedure civile, apo varësisht se çka është objekt kontesti. Në rast se është i pamundur përfaqësimi në seancë, avokatët shtetërorë deklarohen me shkrim, duke u bazuar në nenin 38, par 5 te LKA-së”, thuhet në përgjigjën e këtij institucioni.
Pas raportimit KOHËS, të enjten, për këtë rast, Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar masa për përfaqësuesen e tyre.
“Lidhur me rastin në fjalë, përfaqësuese ka qenë Avokatja Shtetërore, Ilire Aydogan. Sa i përket përfaqësimit, mungesave në përfaqësimin e rastit konkret në seancat gjyqësore dhe gjithashtu, obligimeve dhe përgjegjësive të tjera që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, tashmë ka kërkesë për inicimin e procedurës disiplinore si hap i parë dhe Komisioni përkatës, brenda kompetencave ligjore do të shqyrtojë rastin konkret në përputhje me legjislacionin në fuqi“, kanë sqaruar nga ky institucion.
KOHËS i është bërë e ditur që Avokatura Shtetërore ndonëse e ka obligim, ka refuzuar ta përfaqësojë Ministrinë e Shëndetësisë në Gjykatën e Apelit. Ky institucion ka paralajmëruar që për shkak se vlera që MSH-ja ka humbur sipas vendimit të shkallës së parë është shumë e madhe, atëherë rasti do të dorëzohet në hetuesi.
“Gjithashtu, marrë parasysh dëmtimin e buxhetit të Republikës së Kosovës, shkeljet e tilla do të raportohen në Prokurori”, ka paralajmëruar ky institucion.
KOHA të enjten ka raportuar se MSH-ja do të obligohet që të paguajë të paktën 636 mijë euro për një operator ekonomik, i cili pretendon se në vitin 2011 iu bë e padrejtë kur nuk iu dha tenderi për disa barna. Rreth 400 mijë euro Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka njohur kësaj kompanie në emër të fitimit të humbur e më shumë se 200 mijë euro në emër të kamatës ndëshkuese.