QKUK ka dhënë detaje shtesë për gjendjen e 21 vjeçarit i cili dyshohet se u rrah nga një polic, deri në humbje të vetëdijes dhe pësimit të sulmit në tru. Në kumtesën e QKUK-së, theksohet se të riut iu shpëtua jeta nga mjekët e spitalit, të cilët e trajtuan atë gati të vdekur.
I riu, sipas kumtesës, u dërgua në spital në fazën e hershme të humbjes së aftësisë së të folurit dhe të lëvizshmërisë së dorës dhe këmbës së djathtë, për shkak të dhunës që dyshohet se i shkaktoi një zyrtar policorë, shkruan Reporteri.net.
Ndaj, mjekët kosovarë arritën që të kryejnë ‘trombektomi mekanike’ (heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike). Rrjedhimisht, rezultoi që pacientit t’i kthehet menjëherë lëvizshmëria e humbur e gjymtyrëve.
Sipas QKUK-së ky është rasti i dytë në Kosovë që është kryer i njëjti intervenim.
Ky është njoftimi i plotë:
Në QKUK, i shpëtohet jeta një 21 vjeçari
Po vazhdon të zbatohet me sukses projekti nacional i Stroke Center në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Mbrëmë, një të riu 21 vjeçar, në fazën e hershme të humbjes së aftësisë së të folurit, të lëvizshmërisë së dorës dhe këmbës së djathtë, i është kryer trombektomia mekanike ( heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike), rasti i dytë në Kosovë.
Ky intervenim është kryer në Klinikën e Radiologjisë, në bashkëpunim me Klinikën Emergjente, Klinikën e Neurologjisë dhe atë të Anestezionit, ku pas procedures së kryer tek pacienti rezultoi me kthimin e menjëhershëm të lëvizshmërisë së humbur të gjymtyrëve.
Ekipi mjekësor përbëhej nga radiologët, Dr. Bujar Imeri, Dr. Ilir Bejta, Dr. Jeton Shatri udhëhequr nga Dr. Bujar Gjikolli, përkrahur nga ekpi i anestezionit Dr Arjan Ademi, anestezisti Tafil Gashi , Dr. Nerxhivane Halimi, Dr. Gazmend Hasbahta dhe Dr.Shkëndije Nuza.
Me këtë procedurë po stabilizohen shërbimet e neuroradiologjisë intervente në Klinikën e Radiologjisë duke ofruar mundësi pacientëve kosovarë të cilët këto shërbime nuk i kanë pasur më parë.
Për realizimin e këtyre procedurave, sistemi i shërbimeve shëndetësore në Kosovë duhet të jetë efektiv dhe reagimi duhet të bëhet para kalimit të dritares kohore prej 4-5 orëve nga fillimi i sulmit iskemik në tru.