Një incident, i cili mund të marrë përmasa edhe më të mëdha se sa thjesht i tillë.
Tragjedia e Himarës në mesditën e 2 gushtit, kur një vajzë 7-vjeçare, Jonada Avdia, mbeti e vdekur pasi u godit nga një mjet lundrues, i cili drejtohej nga një ish-oficer policie, Arjan Tase, po përshkruhet si një ngjarje ku një vogëlushe britanike ka mbetur e vrarë, në një skenar të emërtuar si “horror në plazh”.
Kështu shkruan të paktën tabloidi britanik “The Sun”, duke e përshkruar ngjarjen e Potamit në bazë të raportimeve të mediave shqiptare.
Më pas, shkrimi përshkruan se si Jonada po notonte disa metra larg bregut, kur u godit nga mjeti lundrues, i drejtuar prej Arjan Tases.
Me të drejtë, Jonada ka lindur në Britaninë e Madhe dhe mediat (përfshi edhe autoritetet britanike), e përshkruajnë atë si shtetase britanike, pavarësisht se origjina e saj është shqiptare.
Ndaj, mbi figurën e Shqipërisë, rëndon tashmë një incident jo vetëm ku ka mbetur e vrarë një 7-vjeçare, por ku ka mbetur e vrarë një 7-vjeçare britanike. Të paktën, sipas tyre dhe ligjërisht, po.
Çfarë ndodhi?
Ata ishin me origjinë nga Tropoja, por prej vitesh jetonin në Kanada. Vajza 7-vjeçare pati lindur atje dhe pushimet e këtij vitit, kishin vendosur t’i kalonin në Himarë.
Prindërit, dikush më lehtë e dikush më rëndë, mbetën të plagosur. E mitura – me flokë të arta siç e përshkruajnë dëshmitarët e horrorit në bregdet – mbeti e vdekur në vend.
E gjithë kjo, nga dora e një efektivi të Policisë së Shtetit, i cili ushtronte detyrën e shefit të Seksionit të Policimit në Komuniteti pranë Komisariatit të Policisë Elbasan.
Arian Tase, nga një funksionar publik, ishte kthyer në personin, i cili i mori jetën një vajze 7-vjeçare në rivierën shqiptare.
Nga pakujdesia apo tjetër gjë, kjo mbetet për t’u hetuar nga organet kompetente.
E sigurt është se ai u arrestua menjëherë dhe u pezullua nga detyra prej drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, deri në një hetim të plotë e të pakushtëzuar prej organeve përkatëse.
Babai i vajzës, menjëherë pas ngjarjes, është konfrontuar me Taren, por i pafuqishëm të përballojë situatën dhe humbjen e vajzës, ka rënë në gjunjë në vajtim.
Pushuesit rreth e rrotull, kanë filmuar gjithçka.
Një ngjarje kjo, e cila është e përsëritur gjatë këtij viti, edhe pse në fatalitet ka kaluar për herë të parë.
Gjatë muajve të shkuar, skenarë thuajse identikë kanë ndodhur me mjete të tjera lundruese, të cilat kanë dalë në breg me shpejtësi të plotë dhe kanë goditur pushuesit në çadrat e tyre.
Fati më i keq këtë radhë, ka prekur familjen Avdia, të cilët kanë humbur vajzën e tyre, duke kaluar nga pushimet në një ferr të vërtetë.
Masat ndërkohë, ende priten, me një reagim të thelluar të strukturave shtetërore, për të bërë që bregdeti, të mos përgjaket më si Himara.