Një burrë në të 50-at shkaktoi një ‘turbulencë’ në ajër ndërsa u përpoq të depërtonte në derën e kabinës së pilotit në mes të fluturimit. Si përgjigje, një grup pasagjerësh vendosën të merrnin ligjin në duart e tyre dhe të lidhnin për karrige pasagjerin rus.
Sipas dëshmitarëve, pasagjeri u përpoq të depërtonte në kabinën e pilotit pas një grindje me zë të lartë me një nga shoqëruesit e fluturimit. Në mes të gridnjeve, pasagjeri u ngrit nga karrigia e tij dhe kërkoi të “shkëmbente disa fjalë” me kapitenin.
Një grup udhëtarësh në fluturim, të cilët filluan të shqetësohen për sjelljen ekstreme të pasagjerit, arriten të merrnin nën kontroll pasagjerin agresiv duke e lidhur për karrige me shirit ngjitës. Kur avioni u ul në qytetin e Novosibirsk, qyteti më i madh në rajonin e Siberisë, policia po priste në terminal për ta arrestuar.
Një zëdhënës i stacionit policor sqaroi pse kishte ndodhur incidenti: “Oficerët e policisë arrestuan të dyshuarin, i cili vazhdoi të bëhej agresiv ndërsa ai ishte në stacion. Ai sulmoi verbalisht policinë dhe madje u përpoq t’i sulmonte dhe fizikisht”.
Një dëshmitar okular që ndoqi incidentin në fluturim tha se pasagjeri u egërua si “ariu i egër”. Të tjerë thanë se ishte e qartë se personi ishte plotësisht i dehur në kohën e incidentit.
I dyshuari është arrestuar për huliganizëm. Ai pretendon se nuk e mban mend fare se cilat ishin rrethanat e incidentit. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri në 5 vjet burg.