Në Maqedoninë e Veriut protestohet në ditën e katërt kundër propozimit francez, por mesa duket mbrëmjen e së martës situata është përshkallëzuar. Mediat në vend raportojnë për incidente jashtë ambienteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup.
Në drejtim të godinës së MPJ në shtetin fqinj janë hedhur mjete piroteknike, sende të forta si dhe letra higjienike. Protestuesit janë ndaluar edhe para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në protestën që po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes së 5 korrikut.
Kjo është dita e katërt që në Shkup po mbahet protesta me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare rreth të kaluarës dhe çështjes së identitetit maqedonas.
Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim. Sipas tyre, propozimi francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.
Gjatë protestës, policia në vend bëri të ditur po ashtu se kanë mbetur të lënduar katër policë.
Përshkallëzohet situata në Shkup, protestuesit shembin barrikadën para Kuvendit
Një grup protestuesish kanë arritur të shembin gardhin metalik para ndërtesës së Kuvendit të Maqedonisë se Veriut.
Sipas asaj që raportojnë mediat në vend, të tjerë hodhën fishekzjarre dhe shishe uji ndaj forcave të shumta të policisë. Këto të fundit janë vendosur në formacion për t’u mbrojtur nga objektet që fluturonin drejt tyre.
Ka pasur edhe protestues që u janë afruan oficerëve dhe kanë goditur rojet e sigurisë. Nga sendet e forta të hedhura janë dëmtuar disa xhama të Kuvendit të RMV-se.