Tre kompani të mëdha kanë marrë pjesë deri më tani në ankandin për emrin e stadiumit të ri që është ndërtuar në Tiranë. Deri më tani, Shqiptarja.com mëson se kanë marrë pjesë Bolv Oil, Vodafone dhe Sigal.
“Arena Kombëtare” siç quhet momentalisht do të ketë një tjetër emër. FSHF hapi një ankand në datën 22 korrik për emrin e stadiumit ku ftoi të gjitha ato kompani të interesuara që t’i vinin emrin e tyre stadiumit të ri, të paraqisnin ofertat. Një proces ky që u shoqërua me debate të shumta më pas por FSHF thotë se arsyet se pse u hap ky ankand janë vetëm financiare pasi stadiumi duhet të mirëmbahet.
Më poshtë, prezantimi i Bolv Oil, ndërsa nuk ka ende një afat nga Federata Shqiptare e Futbollit, se kur do të mbyllet ankandi.
Shitja e të drejtave të emrit do të bëhet për një afat minimal prej 5 vitesh dhe çmimi dysheme duhet të jetë 600 mijë euro në vit. Pra cilado kompani që dëshiron t’i vë emrin e saj “Arenës Kombëtare” duhet patjetër të paguajë 3 milionë euro për afat 5-vjeçar.
Në momentin që u hap ankandi Federata sqaronte se kompania duhet të kishte një emër të mirë dhe xhiro prej 10 mln euro në vit. Në gusht gjatë një interviste për Report Tv Arben Dervishaj anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF deklaronte se kishin shprehur interes kompani të njohur sigurimesh, nafte apo edhe telekomunikacioni gjë kjo që solli reagimin e ashpër të Zv Kryeministrit Erion Braçe që është kundër këtij procesi.