Thomas L. Friedman
Një ditë, iranianët mund të emërtojnë një rrugë në Tehran me emrin e presidentit amerikan, Donald Trump. Pse? Sepse ai sapo dha urdhër për vrasjen e njeriut ndoshta më budalla në Iran dhe strategut më të mbivlerësuar në Lindjen e Mesme, gjeneralit Qassem Soleimani.
Mendoni për llogaritjet e gabuara që i kishte bërë ky person. Në vitin 2015, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë kryesore evropiane u pajtuan që t’ia largojnë të gjitha sanksionet Iranit, shumë prej të cilave i ishin vendosur nga viti 1979, me kusht që ky vend të hiqte dorë nga programi i armëve bërthamore për 15 vjet, por duke e rezervuar të drejtën për të pasur program bërthamor paqësor. Kjo ishte një marrëveshje e mrekullueshme për Iranin. Ekonomia e tij u rrit për më shumë se 12 për qind një vit më vonë. Dhe çka bëri Soleimani me këtë mulli ere?
Ai dhe lideri supreme i Iranit e nisën një projekt agresiv perandorak që e bëri Iranin de fakto kontrollues të pushtetit në Bejrut, Damask, Bagdad dhe Sana. Kjo i tmerroi aleatët e Shteteve të Bashkuara në botën arabe dhe Izrael dhe i bënë presion Trump-it që të kundërpërgjigjej. Vetë Trump-i kishte vullnet ta prishte secilin traktat të arritur nga Obama, prandaj u tërhoq nga marrëveshja bërthamore dhe i vendosi Iranit sanksione në naftë, të cilat e kanë tkurrur ekonominë iraniane për gati 10 për qind dhe e kanë çuar papunësinë në mbi 16 për qind.
Duke ia kufizuar në masë të madhe fondet Tehranit, liderët u detyruan që t’i rrisin çmimet e benzinës brenda vendit, duke nxitur protesta masive. Ato bënë që klerikët iranian ta shtypnin popullin e vet dhe mijëra njerëz u burgosën dhe u vranë, duke e dobësuar edhe më shumë legjitimitetin e regjimit.
Pastaj, “gjeniu ushtarak” Soleimani vendosi që, pasi e kishte përkrahur dhe forcuar regjimin e Bashar al-Assad-it në Siri dhe pasi kishte dhënë ndihmë për vrasjen e 500 mijë sirianëve në këtë proces, t’i bënte presion Izraelit. Ai do ta bënte këtë duke dërguar raketa nga Irani te forcat e përkrahura nga ky shtet në Liban dhe Siri.
Mjerisht, Soleimani zbuloi se lufta kundër Izraelit, më saktësisht kundër forcave ajrore, speciale, inteligjencës dhe atyre kibernetike, nuk ishte si lufta kundër frontit “Al Nusra” dhe Shtetit Islamik. Izraelitët u kundërpërgjigjën ashpër, duke i kthyer shumë iranianë në shtëpi në arkivole nga Siria dhe duke i goditur grupet e tyre aleate deri në pjesën perëndimore të Irakut.
Irani i sotëm është trashëgimtar i një civilizimi madhështor, atdhe i njerëzve shumë të talentuar dhe i një kulture të dalluar. Kudo që Iranianët shkojnë sot në botë, ata shkëlqejnë si shkencëtarë, mjekë, artistë, shkrimtarë dhe film-bërës, përpos në Republikën Islamike të Iranit, eksportet më të famshme të së cilës janë bombardimet vetëvrasëse, terrorizmi kibernetik dhe liderët e grupeve militante. Vetë fakti që Soleimani ishte ndoshta iraniani më i famshëm në rajon flet për boshllëkun e plotë të këtij regjimi dhe për atë se si ky regjim e ka çuar dëm jetën e dy gjeneratave të iranianëve duke kërkuar dinjitet në vende krejtësisht të gabuara dhe me mënyra krejtësisht të gabuara.
Thomas L. Friedman është analist politik, shkrimtar dhe kolumnist i gazetës “The New York Times”. Ai shkruan kryesisht për politikën e jashtme, tregtinë botërore, Lindjen e Mesme dhe çështjet mjedisore.