Trumpi thotë se kompania “Microsoft” është në bisedime për ta blerë TikTok-un

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kompania “Microsoft” është në diskutime për ta blerë aplikacionin TikTok dhe se ai do të donte të shihte një “luftë ofertash” për shitjen e platformës së famshme.

Kur u pyet nga gazetarët nëse gjiganti amerikan i teknologjisë ishte duke përgatitur një ofertë, Trumpi u përgjigj: “Unë do të thosha po”, para se të shtonte se kishte “interesim të madh për TikTokun” nga disa kompani, raporton televizioni BBC.

Edhe Trumpi, edhe paraardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, janë munduar me vite që ta detyrojnë kompaninë amë të TikTok-ut, “ByteDance”, që t’i shesin operacionet e aplikacionit në ShBA për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.

Javën e kaluar, Trumpi nënshkroi një urdhër ekzekutiv për shtyrjen e ndalimit të TikTok-ut në ShBA pak pasi aplikacioni u bllokua për 170 milionë përdoruresit e tij në këtë shtet.

Edhe pse i ka dhuruar 75 ditë hapësirë aplikacionit për të mos u ndaluar, Trumpi ka qenë presidenti i parë që ka filluar t’i bëjë trysni kompanisë “ByteDance” për ta shitur atë.