Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga Iraku. Keshtu u shpreh sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper pas konfuzionit që shkaktoi një letër e ushtrisë amerikane, që informonte zyrtarët e Irakut për ripozicionim të trupave në pritje të largimit nga vendi.
Letra e publikuar në mediat amerikane, erdhi një ditë pasi parlamenti irakien miratoi një rezolutë jo detyruese, e cila i kërkonte të gjitha trupave të huaja në rajon të largoheshin nga vendi. Në letër thuhej se forcat amerikane dhe të koalicionit do të evakuoheshin me helikopterë.
Por sekretari i Mbrojtjes, Esper theksoi se nuk ka asnjë vendim për largimin e mundshëm nga Iraku. Komandanti më i lartë i ushtrisë amerikane, general Mark Mielley tha se letra ishte një draft dokument i shkruar keq, që synonte të njoftonte lëvizjen e shtuar të trupave amerikane e që nuk duhej të ishte publikuar.