Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është ndërprerë seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, derisa në sallën e gjyqit të jenë të pranishëm të gjithë të akuzuarit.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se seanca pritet të rifillojë kur të gjithë të akuzuarit të jenë në sallë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Do ta ndërpresim seancën derisa të jenë të gjithë të akuzuarit në sallë”, tha Smith III, duke shkuar më pas në pushim.
Përpara kësaj, seanca ishte e mbyllur për publikun dhe nuk dihet se çfarë u tha në sallë.
Kujtojmë se Jakup Krasniqi ishte i pranishëm në seancë përmes video-lidhjes ndërsa Thaçi, Veseli dhe Selimi, ishin fizikisht.
Trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është shprehur i shqetësuar me mosprezencen fizike në sallën e gjyqit të të akuzuarve.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se sipas rregullave, të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë gjyqësore me përjashtim të disa rasteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Jemi të shqetësuar me mosprezencen e të akuzuarve në sallën e gjyqit kur kemi gjykim. Ne besojmë se të akuzuarit me rregull duhet të jenë fizikisht të pranishëm në sallën e gjyqit kur paraqiten prova me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme kur mund t’i ndjekin përmes video-lidhjes”, tha Smith III.
Ai tha se edhe në rastet kur merret leje për mospraninë fizike në sallë, të akuzuarit nuk japin ndonjëherë arsyetime për këtë gjë.
“Kur marrin leje për të mos qenë të pranishëm nuk ka ndonjëherë arsyetim se pse nuk janë të pranishëm. Ne mbështetemi në rregullën 168/1 ku thuhet se të akuzuarit duhet të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji dhe nga rregullorja”, tha kryetari i trupit gjykues.
Smith III tha se duhet të plotësohen disa kushte që të urdhërohet që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve.
“Sigurisht që trupi gjykues mendon që të akuzuarit ndonjëherë mund të mos jenë të pranishëm nëse lind nevoja dhe këtë mund ta bëjnë përmes avokatit të tyre. Rregulla 168, pika 4 thotë: Kur të akuzuarit nuk duan të paraqiten, atëherë trupi gjykues mund të urdhëroj që gjykimi të bëhet pa praninë e të akuzuarve, por duhet të plotësohen disa kushte për këtë. Kërkesat që ne marrim këtu, nuk janë më shumë refuzime, por më shumë parapëlqime të të akuzuarve ta ndjekin gjykimin përmes videolidhjes. Sigurisht kur ka arsye të vlefshme kjo lejohet dhe ne e kuptojmë që prania e të akuzuarve mund të mos jetë e nevojshme kur edhe dëshmitari është përmes video-lidhjes apo kur në sallën e gjyqit do të diskutohen aspekte që nuk lidhen drejtpërdrejtë me dëshmitarët”, tha ai.
Pas kësaj, kryegjykatësi Smiith III dha një urdhër me gojë lidhur me këtë aspekt që evitojnë situata të tilla.
“Urdhërojmë pra që të gjitha kërkesat për të mos marrë pjesë në sallën e gjyqit gjatë gjykimeve të kenë një arsyetim të kënaqshëm pse të akuzuarit nuk do të jenë të pranishëm. Pra, të kenë arsyeje të vlefshme. Leje të tilla i duhet t’i paraqiten trupit gjykues brenda 24 orësh para gjykimit, përndryshe nuk do të lejohen të tilla situata më”, tha gjyqtari Smith III.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.