Dëshmitari Musa Zenelaj, i cili tha se punon si truprojë e reperit Ledri Vula, ka deklaruar se nuk ka aplikuar për vizë italiane shengen, por pasi njiheshin më të akuzuarin Ukë Rugova, i njëjti ia kishte siguruar.
Këtë deklarim dëshmitari Zenelaj e ka bërë të premten, në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petanit, Qefser Baholli dhe Izet Beqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të gjithë këta po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Akuza thotë se Ukë Rugova kishte menaxhuar këtë grup kriminal.
Dëshmitari Musa Zenelaj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Shamolli, ka thënë se i kishte kërkuar të akuzuarit Rugova që t’ia sigurojë një vizë.
“Ishim tu pi kafe dhe ai e vërejti që unë nuk jam mirë, më pyeti se çfarë kam, i tregova se nanën e kam të sëmurë në Zvicër dhe i tregova se nuk kam vizë, pasi asaj të parës m’i kishte skaduar afati dhe unë i thashë meqenëse jemi familjarë dhe aktivistë të LDK-së, i thash a mundesh me më ndihmu me siguru një vizë dhe ai më tha po këqyrim”, ka thënë dëshmitari.
I njëjti shtoi se pas një kohe kishte shkuar në rezidencën e familjes Rugova dhe përsëri e kishte lutur të akuzuarin Ukë Rugova që ta ndihmojë rreth sigurimit të vizës.
Pas kësaj, dëshmitari bëri të ditur se pas pesë javësh e kishte takuar një djalë, i cili ia kishte dhënë një zarf, ku kishte qenë pasaporta e tij me vizë italiane në të, me vlefshmëri prej gjashtë muajsh.
Sipas Zenelajt, aq sa i kujtohet e kishte plotësuar aplikacionin, por tha se nuk i kujtohet saktë, ndërsa për sigurimin e kësaj vize tha se nuk kishte paguar përveç sigurimit shëndetësor.
“Unë asgjë nuk i kam ofruar Ukë Rugovës, as para as asgjë tjetër askujt, por vetëm iu kam lutur që të më ndihmojë rreth vizës”, ka thënë dëshmitari.
I pyetur nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti se pse i kishte kërkuar ndihmë Ukë Rugovës për sigurimin e vizës, dëshmitari ka thënë se ia kërkoi këtë për shkak se kishte qenë aktivist i LDK-së dhe pasi prindërit e tyre kishin pasur miqësi, pasi sipas tij, kishte menduar se ai kishte ndikim që ta marrë vizën më shpejtë.
“Truproje kam punuar edhe më herët, edhe sot punoj, jam truproje i Ledri Vulës”, u shpreh dëshmitari.
Në seancën e së premtes është dëgjuar edhe komshiu i të akuzuarit Rugova, dëshmitari Fehmi Gashi, i cili ka thënë se vizën italiane shengen e kishte siguruar nga i akuzuari Ukë Rugova, përmes kolegut të tij me emrin Uliks.
Para se të sigurohet me vizë, dëshmitari ka thënë se derisa ka qenë duke e lyer një veturë për shkak që kishte punuar mekanik, ishte takuar me të akuzuarin Rugova para shtëpisë së tij.
Tutje, Gashi tha se nuk e kishte ditur se çka punonte i akuzuari Rugova, por tha se kolegu i tij Uliksi, i kishte thënë se punonte me viza dhe se nëse dëshironte vizë mund t’ia siguronte.
Dëshmitari theksoi se fillimisht nuk kishte pranuar, por më vonë ia kishte dërguar kolegut të tij Uliksit pasaportën dhe pas dy javësh tha se i njëjti ia kishte dorëzuar pasaportën bashkë me vizë italiane shengen në të.
“Për këtë vizë nuk kam paguar asgjë e as për sigurim, por mund të them se edhe sot i kam borxh një darkë”, ka thënë dëshmitari, i cili ka deklaruar se gjatë viteve 1995-98, ia kishte rregulluar veturat ish-presidentit Ibrahim Rugova.
I pyetur nga prokurorja speciale Florije Shamolli në lidhje me një listë e nënshkruar nga Ukë Rugova, e cila i ishte dorëzuar ish-ambasadorit italian si letër mbështetëse dhe në të cilën figuron edhe emri i tij, dëshmitari tha se nuk është në dijeni për këtë listë.
Dëshmitari tha se qëndron prapa deklaratës së dhënë në polici, të cilën tha se e kishte dhënë pa presion dhe pa instruksione.
Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha e ballafaqoi më këtë deklaratë, në të cilën sipas tij dëshmitari kishte dhënë një version tjetër, pasi në këtë deklaratë nuk kishte thënë asnjëherë se Uliksi i kishte thënë se Ukë Rugova punon me viza.
“Ndoshta atëherë nuk më kanë pyetur, unë as nuk po e mbroj as nuk po e akuzoj askënd. Unë me dijen time, qysh kam thënë në polici, po them edhe tash, përveç se Uka ku ka qenë nuk më kujtohet dhe as ku e kam marrë pasaportën nuk po më kujtohet”, është përgjigjur dëshmitari.
Ai në fund ka deklaruar se për sigurimin e kësaj vize nuk kishte paguar asgjë.
Dëshmitari Gashi tha se derisa Haraqija ka qenë Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e kishte kontaktuar përmes telefonit dhe i kishte kërkuar që t’ia sigurojë një vizë turistike.
“Me Astritin kam kontaktuar në telefon edhe i kam thënë a mundet me më siguru vizë, pasi është ministër, ai më tha këqyrim edhe më tha jepja pasaportën dhe dy fotografi Edi Kuçit që ka qenë shofer i tij”, tha ai.
Po ashtu deklaroi se më pas ishte takuar me shoferin Edi Kuçi dhe ia kishte dhënë pasaportën e tij dhe dy fotografi, për të cilat tha se nuk kishte paguar asgjë.
“Nuk kam bërë asnjë pagesë për me marrë vizë, as për sigurim as për asgjë, bile i jam borxhli Astritit, kur jam ardhë këtu e kam kuptuar që janë bë pagesa për vizë teme”, ka thënë dëshmitari.
I njëjti shtoi se nuk kishte mbushur as formular të aplikimit, por vetëm ia kishte dorëzuar personit me emrin Edi Kuçit pasaportën dhe dy fotografi.
“Unë nuk kam arritur të siguroj vizën, por edhe sikur ta kisha marrë s’kisha mundur me shku, pasi pas 2-3 javësh fillova punën”, ka thënë dëshmitari, i cili ka theksuar se më vonë pasaportën e kishte marrë tek shtëpia e Edi Kuçit.
“Nuk jam i dëmtuar”, ka thënë në fund dëshmitari.
Seanca e radhës në këtë rast, pritet të mbahet me 9 nëntor 2021.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.
Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.