Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha se Gjermania ka humbur rolin e saj të paanshëm në ndërmjetësimin midis Turqisë, Greqisë dhe Qipros, raporton Reuters.
“Ne duam që Gjermania të mbajë pozicionin e saj të ekuilibruar për çështjet e Mesdheut Lindor dhe Detit Egje”, tha ministri i jashtëm turk në një konferencë shtypi së bashku me ministren e jashtme gjermane Annalena Baerbock në Stamboll.
Ai shtoi se Berlini duhet t’i dëgjojë të dyja palët pa paragjykime.
Vendet e treta, përfshirë Gjermaninë, nuk duhet të jenë mjet provokimi dhe propagande, veçanërisht Greqia dhe pala greke qipriote.
Eksplorimi i Mesdheut Lindor
Baerbock tha më parë në Athinë se është e rëndësishme që anëtarët e NATO-s të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre nëpërmjet dialogut, duke iu referuar Turqisë dhe Greqisë.
Të dy vendet kanë debatuar gjatë për një sërë çështjesh, nga pretendimi i të drejtave për burimet në Mesdhe, te hapësira ajrore dhe migrimi. Greqia dhe Qiproja akuzuan të enjten Ankaranë për nxitje të tensioneve ndërsa përgatitet të dërgojë një anije në Mesdhe në shtator për të kërkuar gaz në shtratin e detit.
Greqia dhe Turqia iu afruan konfliktit në vitin 2020 pasi Turqia dërgoi një anije kërkimore në ujërat e diskutueshme në Mesdhe. Bisedimet rifilluan vitin e kaluar pas një ndërprerjeje pesëvjeçare në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet në Detin Mesdhe dhe çështje të tjera dypalëshe. Por ata nuk bënë shumë përparim.