Nga Aykan Erdemir & Kursat Gok “National Interest”
Vrasja e manjatit turko-qipriot të kazinove Halil Falyali pak ditë më parë, ishte episodi i fundit në luftën e egër që po ndodh në botën e krimit në Turqi, mbi trafikun e drogës dhe financimet e paligjshme.
Mafiozi turk, i kthyer në një denoncues publik, Sedat Peker, e akuzoi vitin e kaluar Falyali se ishte një aktor kyç në tregtinë e kokainës, dhe se ai kishte bashkëpunuar me Erkan Yildirim, djalin e ish-kryeministrit turk Binali Yildirim.
Peker pretendon se Turqia, që ka qenë prej kohësh pjesë e njërës nga rrugët kryesore të tregtisë së heroinës, është shndërruar nënjë qendër kryesore edhe për trafikun e kokainës, pas sundimit gati 2-vjeçar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Këto zhvillime ngrenë pikëpyetje nëse Turqia po bëhet narko-shtet i radhës në Lindjen e Mesme, krahas Libanit dhe Sirisë.
Timur Soykan, një nga gazetarët më të njohur investigativë në Turqi, i fokusuar mbi trafikun e drogës, ka deklaruar se Falyali, që njihet për koleksionin e tij të gjerë të videove komprometuese me figurat kryesore të politikës turke, mund të ketë përdorur një kasetë të tillë për të shantazhuar Erkan Yildirim, me synim krijimin e një linje të re të trafikut të kokainës nga Amerika Latine.
Edhe Erk Acarer, gazetar investigativ me banim në Berlin, ka thënë se Falyali po shantazhonte politikanët dhe nëpunësit civilë nëpërmjet “videove të papërshtatshme”.
Vitin e kaluar, ish-presidenti i Qipros turke, Mustafa Akinci, akuzoi publikisht Falyali për lidhje të paligjshme, si dhe për mbështetje ndaj qeverisë së Qipros Veriore të mbështetur nga Ankaraja.
Prandaj nuk ishte e habitshme që pas vrasjes së Falyali, dhjetëra turqisht-folës kanë reaguar në Twitter, duke e quajtur atentatin një përpjekje që synoi “t’i mbyllë gojën Falyali”. Një javë përpara vrasjes së trafikantit, Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, u mburr se sekuestrimi i drogës në vend arriti një nivel historik që nga krijimi i Republikës Turke.
Vetëm në vitin 2021, shtoi ai, policia konfiskoi rreth 2.8 ton kokainë. Por atë që Ministri i Brendshëm e paraqiti si histori suksesi, të tjerëve u duket si rezultat i një tendence alarmante. Sekuestrimi i kokainës në vend ka qenë në rritje të vazhdueshme gjatë 4 viteve të fundit:1.5 ton në 2018, 1.6 ton në vitin 2019 dhe rreth 1.9 ton në vitin 2020.
Në qershorin e vitit të kaluar, në atë që ishte sasia me e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në historinë e vendit, policia sekuestroi 1.3 ton drogë të fshehur midis bananeve të dërguara nga Ekuadori në portin turk të Mersinit.
Menjëherë pas kësaj, policia zbuloi në të njëjtin port 500 kg ton kokainë shtesë të fshehur në një ngarkesë tjetër që vinte nga Ekuadori. Këto shifra janë thjesht “maja e ajsbergut”, dhe nuk përfshijnë dërgesat e kokainës drejt Turqisë, por që janë zbuluar në portet e Amerikës Latine.
Për shembull, qershorin e vitit 2020, policia kolumbiane sekuestroi 4.9 ton kokainë në portin jugperëndimor Buenaventura, në një anije që do të shkonte në portin Ambarli të Stambollit. Po ashtu, muajin e kaluar, autoritetet në Panama kapën 1.3 ton kokainë që ishte nisur nga porti më i madh i Ekuadorit, Puerto Bolivar, për në portin turk të Mersinit.
Përveç rrugëve detare, trafikantët përdorin edhe avionë. Në gushtin e vitit të kaluar, policia braziliane kapi 1.3 ton kokainë në një avion privat turk që më herët ishte në pronësinë e qeverisë turke, dhe që tashmë përdorej nga një kompani private e menaxhuar nga një kandidat për deputet i AKP-së së Erdogan.
Në fillimin e vitit të kaluar, policia turke sekuestroi kokainë edhe në aeroportin e Stambollit. Ngarkesa ishte nisur nga Kolumbia. Shumë qytetarë turq dyshojnë se zyrtarët e lartë lehtësojnë trafikun e narkotikëve dhe i mbrojnë trafikantët.
Pretendimet e Peker se Yildirim është një figurë kyçe në trafikun e kokainës përmes Turqisë, e nxitën djalin e ish-kryeministrit të padisë për shpifje Peker, i cili që nga viti i kaluar është arratisur në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Peker ka thënë se Yildirim, që zotëron një biznes në fushën e transporti detar,është i përfshirë në “Dosjet e Maltës”, një numër i madh dokumentesh që kanë zbuluar një aktivitet të paligjshëm financiar, të botuara nga një rrjet gazetarësh investigativë evropian në vitin 2017.
Nga këto dokumente rezulton se Yilridim kishte shkuar dy herë në Venezuelë në vitin2021 për të ngritur një linjë të trafikut të drogës, që të mos gjurmohej nga Agjencia Amerikane e Luftës Kundër Trafikut të Drogës (DEA).
Ish-kryeministri i Turqisë, e mbrojti djalin e tij duke pretenduar se ai kishte udhëtuar në Karakas për të dorëzuar disa tamponë testimi dhe maska për Covid-19, një pretendim që është hedhur poshtë si nga të dhënat doganore po ashtu edhe nga dëshmitë e shtetasve turq me banim në Venezuelë.
Ndërkohë Falyali, ishte nën hetim nga një gjykatë federale e Virxhinias për rolin e tij të dyshuar në pastrimin e të ardhurave nga droga përmes sistemit financiar të SHBA. Ajo që ngre më tej dyshime për bashkëpunimin e zyrtarëve turq, është se kokaina e dërguar në
Turqi vjen në mënyrë disproporcionale nga porti Puerto Bolivar i Ekuadorit, i dhënë me koncesion që në vitin 2016 për 50 vjet një kompanie turke të mbështetur nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
Ndërkohë javës së kaluar autoritetet izraelite e skualifikuan kompaninë turke nga pjesëmarrja në tenderin e privatizimit të Portit të Haifas, për shkak të lidhjeve të dyshuara midis Hezbollahut dhe njërit prej pronarëve të saj.
Ndërkohë, ajo që e bën më të dukshme pandëshkueshmërinë e pretenduar të zyrtarëve të AKP-së në sytë e qytetarëve turq, nuk janë operacionet e mëdha kundër kokainës në portet detare apo aeroporte, por përfshirja e zyrtarëve partiakë të nivelit të ulët.
Në marsin e vitit 2021, u bënë virale dhe e tronditën vendin pamjet e Kursat Ayvatoglu, ndihmësi i nënkryetarit të AKP-së dhe deputetit Hamza Dag, duke thithur kokainë në sediljen e shoferit në një automjet luksoz.
Përpara përfshirjes së tij në politikë në radhët e AKP-së në vitin 2014, Ayvatoglu, që e kishte braktisur shkollën e mesme, ishte një dizajner grafik modest me një makinë të vjetër në qytetin e vogël veriperëndimor të Detit të Zi, Kastamonu. Pasi punoi për kandidatin lokal të AKP-së për kryetar bashkie, Tahsin Babas, që fitoi në atë garë, Ayvatoglu nisi të pasurohej në mënyrë misterioze.
Kur imazhet e tij u bënë virale vitin e kaluar, Ayvatoglu i mohoi me shpejtësi akuzat dhe arriti të lirohej duke deklaruar se ai po gëlltiste “sheqer pluhur”. Edhe në vitin 2020, kur doganierët turq kapën 100 kg heroinë në makinën e një ish-këshilltari për mediat në ambasadën turke në Bruksel, dhe që kishte lidhje të ngushta me personalitete të larta të AKP-së, autoritetet turke e fshehën lajmin për 2 javë dhe më vonë vendosën një masë qesharake ndaj tij.
Rënia e vazhdueshme ekonomike dhe nevoja në rritje e Turqisë për valutë të huaj, vetëm sa do ta bëjnë më të brishtë elitën politike dhe qytetarët të vendit për t`u joshur nga narko-dollarët. Trafikantët duket se po e shijojnë mosndëshkimin, dhe sekuestrimi i drogës duket më shumë si një përpjekje për të mbyllur“dritaret”që synojnë të fshehin madhësinë reale të ajsbergut.
Nëse Turqia i bashkohet Sirisë dhe Libanit si narko-shteti i tretë në Mesdheun Lindor, kjo gjë vetëm sa do t’i thellojë problemet e trafikimit dhe pastrimit të parave në rajon, duke iu dhënë kësisoj më shumë mundësi aktorëve të paligjshëm jo-shtetërorë.
Shënim:Aykan Erdemir, ish-deputet i parlamentit turk, aktualisht drejtor i Programit të Turqisë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD). Kursat Gok, student i diplomuar në Universitetin John Hopkins në SHBA në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare.