Në janar të këtij viti, 27-vjeçari Egzon Kryeziu nga Prishtina dhe 29-vjeçari Valon Qela nga Mitrovica kishin marrë lëndime të rënda trupore në një aksident komunikacioni të ndodhur në aksin rrugor Ferizaj-Prishtinë. Pas nëntë muaj luftë me jetën, Kryeziu ka ndërruar jetë në spitalet e Stambollit në Turqi.
Qela ndërkaq po vazhdon ende mjekimin, shkruan Gazeta Express.
Pa vetëdije, Valon Qela dhe Egzon Kryeziu gjendeshin në kujdesin intensiv që nga janari i këtij viti në spitalet e Stambollit në Turqi.
Në një aksident që kishte ndodhur, të dy këta kishin marrë lëndime të rënda trupore, derisa, për shërbim ju duheshin mijëra euro, për të cilat familjet kanë kërkuar ndihmë nga njerëzit e vullnetit të mirë.
27-vjeçari Egzon Kryeziu që nga janari kishte kryer më shumë se 6 operacione që i kushtuan rreth 230 mijë euro. Atij i nevojiteshin edhe rreth 30 mijë euro pasi që ndodhej në fazën e fundit të rehabilitimit.
Për të siguruar këto para, babai i tij kishte bërë një apel rrëqethës në rrjete sociale, ku thoshte se ishte i gatshëm që të shiste shtëpinë e veshkën, vetëm që t’i sigronte paratë për shërimin e djalit.
Ramë Kryeziu, babai i tash të ndjerit ishte ai që përmes një njoftimi prekës njoftoi se djali i tij ishte ndarë nga jeta, 9 muaj pasi luftoi me plagët e marra në aksident.
“Ju njoftoj me pikëlim te thellë se djali jonë Egzon Kryeziu sot në Stamboll ndërojë jetë pas 9 muaj luftimit me plagët të mara nga aksidenti i rëndë. I falenderojmë te gjithë të cilët kanë ndihmuar per tu sheruar. Per diten e varrimit ju njoftojmë me kohë. Familja Kryeziu”, shkroi Kryeziu në Facebook.
Egzon Kryeziu, 27 vjeçar nga Prishtina, bashkë me kolegun e tij të punës Valon Qela 29 vjeçar nga Mitrovica dhe morën lëndime shumë të rënda trupore në një aksident, komunikacioni i cili kishte ndodhur në aksin rrugor Ferizaj-Prishtinë, në janar të 2019-së.