Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me anë të një reagimi i ka dalë në mbrojtje ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla.
Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se drejtësia është çdo herë me Sylën, i cili ishte në të drejtën e tij kur po i printe UÇK’së, pasi që siç thotë Veseli, ajo ishte e drejta e Kosovës për të qenë e lirë.
“Nuk ka rëndësi, në luftë apo paqe, drejtësia dhe e vërteta janë çdo herë me të drejtin. Azem Syla është i tillë edhe sot teksa po bëhej gati të nisej për në Hagë. Ai ishte në të drejtën e tij atëherë kur i printe UÇK-së. Sepse ajo ishte e drejta e Kosovës për të qenë e lirë” ka shkruar Veseli.
Ky reagim i të parit të PDK’së, vjen pas nisjes së Azem Sylës për në Hagë, atje ku është ftuar të intervistohet nga Gjykata Speciale.
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, Azem Syla, është nisur sot për në Hagë, këtë e bëri të ditur me anë të një postimi në rrjetin social Facebook Ismail Syla, i cili deklaroi se Azem Syla do të kthehet faqebardhë nga Haga.