Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marr pjesë në Samitin e mbajtur në Brdo të Sllovenisë.
U raportua se ajo pati një përplasje me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Osmani përmes një postimi në facebook, ka treguar detaje rreth këtij takimi.
Ajo tha se, ka ngritur çështjen e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit.
Sipas presidentes, kjo pikë u përfshi në Konkluzat e samitit që u miratuan nga liderët pjesëmarrës.
“Me mbështetjen e krerëve të shteteve tjera pamundësuam përfshirjen e ideve të rrezikshme që vinin nga Serbia e që cënojnë interesat e Kosovës dhe vendosin bashkëpunimin rajonal jashtë binarëve të rregullave të BE-së”, shkruan Osmani.
Postimi i plotë:
Gjatë samitit të procesit Brdo-Brijuni përfaqësova qëndrimet e Republikës së Kosovës në raportet bilaterale dhe rajonale me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Republika e Kosovës është projekt i përhershëm dhe pjesëmarrja jonë në nisma rajonale dhe ndërkombëtare bazohet çdoherë në trajtimin e barabartë me shtetet pjesëmarrëse.
Pata diskutime të frytshme bilaterale me Presidentin Millanoviq të Kroacisë, Presidentin Gjukanoviq të Malit të Zi, Presidentin Pendarovski të Malit të Zi dhe Presidentin Meta të Shqipërisë.
Në këto takime theksuam që e ardhmja e rajonit është anëtarësimi në Bashkim Evropian dhe në NATO. Po ashtu, dënuam idetë për ndryshim të kufijve në rajon dhe ndikimin negativ në rajon të akterëve të tjerë.
Gjatë samitit dhe në takimet bilaterale ngrita çështjen e personave të zhdukur me dhunë nga lufta e fundit. Kjo pikë u përfshi në Konkluzat e samitit që u miratuan nga liderët pjesëmarrës.
Me mbështetjen e krerëve të shteteve tjera pamundësuam përfshirjen e ideve të rrezikshme që vinin nga Serbia e që cënojnë interesat e Kosovës dhe vendosin bashkëpunimin rajonal jashtë binarëve të rregullave të BE-së.
Zëri i Kosovës u dëgjua dhe interesat e saj u promovuan. Ne jemi gati sot dhe çdoherë për bashkëpunim me fqinjët tanë në promovimin e vlerave evropiane në rajon.