U pyet se çfarë nëse Presidenti e formon një shumicë tjetër nëse VV nuk merr pjesë në Qeveri, kjo është përgjigjja e Kurtit

Pak minuta më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti në zyren e tij kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, takimi i të cilëve nuk zgjati shumë minuta, shkruan Gazeta Metro.

Pas mbajtjes së këtij takimi, Kurti në një konferencë për media, u pyet se çfarë nëse Presidenti Thaçi në bazë të Kushtetutës e formon një shumicë tjetër qeverisëse, derisa Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron që të jetë pjesë e një Qeverie teknike.

Kësaj pyetje, përgjigjja e Kurtit qe e lidhur me nenin 82.2 të Kushtetutës së Kosovës, për të cilin thotë se janë të gatshëm që të takohen dhe të bisedojnë hapur me Presidentin Thaçi.

“Jashtë temës së nenin 82.2, pra shpërndarjes së Kuvendit për zgjedhje të reja dhe jashtë temës së luftimit të përhapjes së Covid-19, ne deklaruam këtu se jemi të gatshëm të diskutojmë përveç se me shkrim, në mënyrë që të eleminojmë çfarëdo mundësie për keqkuptim, keqinterpretim apo edhe vetëm pasaktësi. Kjo nëse tema për të cilën do presidenti është jashtë nenin 82.2”.

“Është gabim të shkohet në kapitullin e 6 të Kushtetutës pa e kaluar kapitullin e 4 të Kushtetutës. Kapitulli 4 i Kushtetutës është Kuvendi i Republikës, Qeveria jonë është Qeveri në detyrë sepse në Kuvend ka pasur mocion të suksesshëm mosbesimi, është kapitulli i 4 i Kuvendit të Republikës së Kosovës, para kapitullit 6 që është Qeveria e Republikës së Kosovës, andaj jashtë nenin 82.2 dhe jashtë Covid-19, me shkrim”, është përgjigjur Kurti.

Kujtojmë se para këtij takimi, Kurti i ka dërguar letër Thaçit në të cilën thuhej se tema e vetme që do të diskutohet gjatë këtij takimi është shpërndarja e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe vetë praktika juaj e mëpardhme në vitin 2017, e bëjnë të qartë se, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, e vetmja rrugë përpara është shpërndarja e Kuvendit të Republikës së osovës, në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës, dhe shpallja e zgjehjeve të parakohshme.

Prandaj dëshiroj paraprakisht t’ju bëj të qartë, se çështja e vetme për të cilën do të bisedojj sot me ju është se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë”, thuhet në këtë letër.

Thaçi, i cili tashmë është duke zhvilluar takimin e tij me kreun e LDK’së, Isa Mustafën, ka thirrur në takim të gjitha partitë politike për të diskutuar rreth mundësisë për formimin e Qeverisë së re, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars.