Marrëdhënia e Kievit me Perëndimin ka marrë në javët e fundit disa goditje, teksa amerikanët treguan në OKB se nuk janë të gatshëm të zbrazin më arkën për të financuar luftën kundër Rusisë, ndërsa Polonia vendosi një embargo të njëanshme për grurin ukrainas.
E teksa krisjet e Kievit me partnerët sa vjen e bëhen më evidente, ndërsa Zelensky “gjezdis” globin për të kërkuar më shumë dhe para e armë, duket se ukrainasit ia lejojnë vetes komoditetin për “t’i bërë naze” ndihmave.
Zyrtari ukrainas u përpoq të sqaronte se vendi i tij ka nevojë për të gjitha llojet e ndihmës ushtarake, por gjithashtu ka nevojë për avionë luftarakë modernë.
“Për ne është e rëndësishme çdo ndihmë, por jo me luftëtarët e tipit Mirage 2000. E kemi folur shumë herë për këtë. Pse, çfarë mund të bëjë një avion i tipit A-10? Mbrojtja ajrore ruse do ta shkatërrojë atë. Qëllimi është të fitojmë epërsi dhe përparësi ajrore, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për avionë modernë me shumë role, të aftë për të kryer këto lloj misionesh.”
Deklarata e përfaqësuesit të Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuriy Ilkhat
Në vlerësimin e përfaqësuesit të Forcave Ajrore të Ukrainës, furnizimi me “Mirage 2000” nuk do të ishte një vendim logjik, ndërsa më pas ai theksoi se këtë avionë janë të vjetëruar dhe se si Franca ashtu edhe vendet e tjera evropiane kanë në arsenalin e tyre avionë luftarakë më modernë, si F-16.
Sakaq, në muajt e fundit rreth tridhjetë pilotë ukrainas janë trajnuar në bazat ajrore të Nancy dhe Mont-de-Marsan, në sajë të një vendim i cili u mor para vizitës së Volodymyr Zelensky në Francë më 8 shkurt të këtij viti.