Rusia akuzoi Ukrainën për terrorizëm, pasi dy sulme me dronë dëmtuan godina në Moskë, përfshirë një pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Në ngjarjen që ndodh një ditë pasi Kievi u zotua të hakmerret për sulmet në Odesa nuk pati kosto në njerëz. Megjithatë, shënjestrimi i një objekti pranë godinës ku Moska mban mbledhjet për atë që e quan operacion special, shënon një goditje simbolike, dhe sugjeron se sa thellë mund të depërtojnë dronët e pretenduar të Ukrainës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, dronët ishin interceptuar dhe shkatërruar.
“Ndaluam një përpjekje për sulm terrorist të regjimit të Kievit, përmes përdorimit të dy dronëve ndaj objekteve në territorin e Moskës”.
Kryebashkiaku Sergei Sobyanin pohoi se dronët kishin shënjestruar godina jorezidenciale rreth orës 4 të mëngjesit dhe se asnjë prej tyre nuk kishte pësuar dëme të mëdha. Por agjencitë shtetërore të lajmeve raportuan se copëza të dronëve ishin gjetur vetëm 2 kilometra larg godinës së Ministrisë.
“Ishin në gjumë dhe u zgjova nga një shpërthim. Gjithçka nisi të dridhej. Dukej sikur godina do të shembej. Pashë nga dritarja e godinës ku jetoj, dhe m’u duk e çuditshme që dëmet nuk ishin aq të mëdha, konsideruar shpërthimin”, tha një banore.
Departamenti i transportit në Moskë njoftoi në telegram se qarkullimi në zonë ishte bllokuar, e po ashtu u ndal lëvizja në Bulevardin Likhachev ku u dëmtua një godinë shumëkatëshe. Sulme me dronë u raportuan edhe në një distrikt të Krimesë, ku banorët u detyruan të evakuoheshin. Ukraina rrallë merr përsipër autorësinë e ngjarjeve të tilla. Por në një deklaratë, presidenti Zelensky u zotua se do të hakmerren pas valës së sulmeve në Odesa, ku mbeti i vrarë të paktën një person dhe u shkaktuan dëme të mëdha, përfshirë në katedralen Ortodokse, trashëgimi e UNESCO.