Shkruan: Jeton Sopa – gazetar (ish-ushtar i UÇK-së)
Unë jam shqetësu e zhgënjy me ju qysh në fillimet e luftës kur i ndanit ushtarët dhe komandantët “k’ta janë me neve k’ta s’bajnë se janë me Rugovën”, ndarje që fatkeqësisht ka rezultu deri në vëllavrasje…ndërkohë që kishim përballë një armik që bënte krme të llahtarshme mbi popullin tonë.
Unë jam zhgënjy dhe dëshpëru se si gjatë dhe pas luftës shumë prijës dhe komandantë të shquar të UÇK-së u vranë në rrethana të dyshimta si: Zahir Pajaziti,Ilir Konushefci,Beadin Hallaqi, Ahmet Krasniqi, Ekrem Rexha, Tahir Zemaj etj… E,shumë të tjerë u vranë duke qëndruar heroikisht të vetëm në istikame madje duke u kthyer në legjenda siç ishte lufta dhe rënja heroike e prijësve tanë Adem e Hamzë Jashari…
Unë jam shqetësu dhe jam dëshpëru kur pas luftës ju o kUmandanta në vend se ta ruanit pasurinë dhe lirinë e Kosovës për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e martirë, ju duke u thirrë në emër të UÇK-së u shtyjshi nër veti duke uzurpuar e plaqkitur gjithë pasurinë e Kosovës e për pasojë duke ja kufizuar popullit lirinë, lirinë e punës, lirinë e mirëqenjes .
Unë jam shqetësu kur gjatë qeverisjes së juaj fabrikat e Kosovës të mirënjohura në gjithë botën në vend se të fillonin punën e të riktheheshin në punë punëtorët e larguar nga Serbia ato u privatizuan egërsisht ku makineritë dhe paisjet e fabrikave u shitën për hekur dhe toka u tjetërsua duke u ndërtu pallate e qendra tregtare.
Unë jam shqetësu kur gjatë qeverisjes së juaj tokat pjellore të shtetit të Kosovës u privatizuan në mënyrën më të egër nga ju dhe njerëzit e juaj, duke u falur (10 euro ari) pastaj prap duke u shtetëzuar me çmim 100 fish më shtrenjtë për të ndërtuar autostrada me cmime marramendëse. Ndërkohë që sot nëpër këto autostrada udhëtoni ju dhe bijtë e juaj me makina superluksoze…
Unë jam shqetësu , kur gjatë qeverisjes së juaj ju ja keni cënuar popullit lirinë e mendimit e për pasojë lirinë e ekzistencës duke e kontrolluar atë përmes punësimeve në institucionet shtetërore dhe duke e diferencuar pjesën tjetër që nuk mendon si ju dhe nuk vepron si ju. Një diferencim të tillë madje e kam përjetu edhe vet kur kam konkuru për tu punësuar në RTK ku ju e kontrolloni përmes njerëzve të juaj. Megjithëse i kisha plotësu të gjitha kriteret si profesionist dhe kisha përparësi me ligj si ish-veteran i luftës ju dhe njerëzit e juaj më diferencuat madje duke thënë se “ky s’duhet as me kUnkuru… se ky nuk është me neve” dhe për pasojë më prejashtuat.
Unë jam shqetësu me ju o kUmandanta se ju për vota e për interesa e përfitime të juja personale më keni shti në listë të përbashkët me njerëz mashtrues,dezerter madje edhe spiun të UDB-së , prandaj mu sot më vjen marre me i kallxu naj kujt që nuk e njoh e nuk më njeh që jam veteran i luftës se ai me të drejtë dhe dyshim më merr si mashtrues sepse shumica në lista janë të tillë…!
Unë jam shqetësu e zhgënjy me ju o kUmandanta sepse gjatë punës sime si kamerman e gazetar kam pa me sytë e mi se si ky popull po ikë nga Kosova për shkak të keqëqeverisjes së juaj 20 vjeçare. Kam pa me mijëra njerëz duke u dyndë nëpër stacione e ambasada tu u tretë napër dhena të huja sepse ju ja keni marrë edhe dheun nër kamë… e qysh mos me u zhgënjy unë me ju, hajt qysh?!
Qysh kam me u ni unë si ish-ushtar UÇK-së kur e shoh duke u endur nëpër gjykata ,me pranga në duar ish-Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Azem Syla, pra ish komandantin tim të dikurshëm i cili po gjykohet për shtijen e pronave shtetërore të Kosovës në rastin “Toka” dhe kjo në bashkpunim me ish-policin serb Vidosav Novakoviç i cili ka punu si polic në kohën e regjimit të Millosheviçit. Si bashkëpuntor i ngushtë i Azem Syles po akuzohet edhe Fahredin Gashi nga Shtimja i cili është i dënuar me 18 vite burg për vrasje. Fahredin Gashi gjatë luftës ka qenë haptazi bashkëpuntor i Serbisë ai pas luftës ka dhënë me qindra orë dëshmi kundër UÇK-së në Hagë hini në you tube keni sa të doni dëshmi…
Eh tash Fahredin Gashi është edhe veteran i luftës emri i tij është i 437-ti në listën e veteranëve të Zonës Operative të Pashtrikut statusin e veteranit ka thanë se ja ka dhanë Azem Syla?!!
Eh tash më thoni kush po e cënon luftën dhe vlerat e UÇK-së ?
Njerëzit si unë që po folin dhe kundërshtojnë juve dhe që i kanë shërby me nder dhe krenari Ushtrisë Çlirmitare të Kosovës apo ju që i keni ba tana këto të zeza dhe sot secili i keni ba minimumi ka dy-tre milion qysh po thoni edhe vet,ndërsa kur po ju akuzojnë po fshiheni pas emrit UÇK-së ?
Pra ju nuk jeni UÇK-ja . Hiqeni logon e UÇK-së dhe shkoni përballuni me të kaluarën e juaj dhe mos na e mbani peng të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, sepse ju nuk e përfaqësoni UÇK-n. UÇK janë mijëra djem e vajza që me pushkë në dorë luftuan për lirinë e Kosovës dhe pas luftës ju kthyen jetës së përditëshme duke u mundu me jetu e me punu ndershëm pa ja kërku borxhin Kosovës, borxh të cilin e kemi pas obligim gjithsecili prej nesh. Prandaj ne jemi të qetë dhe nuk po shqetësohemi dhe frigohemi se na akuzon gjykata speciale. Prandaj unë sot nuk e qes logon e UÇK-së sepse unë atë e mbajë në zemër unë atë e kam në gjakun tim, ajo është në gjakun e mijëra dëshmorëve që ranë për liri.
Gjykaten speciale e keni themelu vet me dorën e juaj, tash përballuni vet me të prandaj unë tash nuk po nihna i shqetësum ma për juve se boll e keni shqetësu këtë popull qe 20 vjet…