Ushtria izraelite ka filluar operacioni final në Rripin e Gazës. Operacioni në shkallë të gjerë ka kulmuar me krijimin e një zonë tampon sigurie në Rripin e Gazës pranë kufirit me Izraelin. Zona tampon, rreth një kilometër e gjerë, mbulon 16 për qind të territorit palestinez.
Për shumicën e analistëve veprimi i ushtrisë së Izraelit shikohet si një përpjekje për zaptim të territoreve dhe largim të popullatës. Sulmet izraelite nuk kanë kursyer as zyrtarët e Kombeve të Bashkuara.
Në përpjekje për të zmbrapsur sulmet e Hezbollahut, ushtria izraelite ka goditur një automjet që transportonte vëzhgues të Kombeve të Bashkuara jashtë qytetit Rmeish në kufirin jugor të Libanit, citon Reuters.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë mohuar se një nga dronët e tyre kishte goditur automjetin që mbante personelin e OKB-së në zonën në Libanin jugor. Reagimi i ashpër izraelit ka ardhur si rezultat i sulmeve të Libanit në territoret izraelite.
Ushtria e Tel-Avivit bëri të ditur për CNN se 20 raketa u hodhën nga Libani në drejtim të Izraelit. Izraeli konfirmoi vrasjen e komandantin të lartë të Hezbollahut, Ali Abed Akhsan Naim në një sulm ajror në Liban.
Hezbollahu e pranoi vdekjen e tij pa thënë se si vdiq. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, paralajmëroi se Izraeli do të sulmojë Hezbollahun në Liban, Siri dhe kudo tjetër që do të gjente gjurme të grupit militant.
Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë urdhëron Izraelin që të lejojë ndihmat humanitare të futen në Gaza për të shmangur urinë që po merr jetë njerëzish. Në kundërpërgjigje, shteti hebre premton që të shtojë ndihmat për enklavën dhe të lehtësojë rrugët për kamionët me ndihma.
Gjatë vizitës në Uashington, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant ngriti mundësinë e krijimit të një force ushtarake shumëkombëshe me trupa nga vendet arabe për të ruajtur rendin në Rripin e Gazës dhe për të shoqëruar autokolonat e ndihmave humanitare.